“Ishulli i Pinguinëve” titullohet ekspozita më e re e Arben Golemit në Shkodër
Dritare.net

Artisti nga qyteti i “një mbi një dritareve”, Arben Golemi, prezantoi punimet e tij përmes ekspozitës “Ishulli i Pinguinëve”, si personazh i ftuar nga Galeria e Arteve të Shkodrës. Ekspozita përmbledh piktura të realizuara ndër vite, ku autori synon të lërë të lirë interpretimin dhe mendimin e publikut.
“Unë jam munduar të zgjedh disa nga pikturat e ciklave të mia, domethënë të jetë një ekspozitë retrospektive. Arti është i lirë dhe unë jam i lirë. Gjithsecili që e shikon, qoftë Beratin, qoftë New Yorkun, qoftë pemët, ai reagon dhe hyn në rezonancë sipas mënyrës së vet”, u shpreh piktori Arben Golemi.
Golemi thekson gjithashtu nevojën për zgjerimin e rrjetit të galerive në vend, duke nënvizuar mungesën e një galerie që prezanton artin bohem.
“Ne kemi galerinë kombëtare, ne kemi galerinë e qytetit të Tiranës, galerinë e qytetit të Shkodrës, por do ishte mirë që Shkodra për shembull të kishte minimalisht pesë gjashtë galeri ku ekspozojnë punët dhe ku diferencohen në një farë mënyre edhe punët dhe piktorët”, tha ai.
Drejtori i Galerisë së Arteve, Fatmir Juka, vlerësoi stilin e Arben Golemit dhe kontributin e tij në pikturën shqiptare.
“Ai vjen me një fuqi ekspozuese dhe me një estetikë që ngërthen traditën piktoreske të shkollës shqiptare dhe tendencën për një pikturë bashkëkohore”, u shpreh Fatmir Juka, Drejtor, Galeria e Arteve Shkodër.
Ekspozita “Ishulli i Pinguinëve” do të qëndrojë e hapur për dy javë, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me universin artistik të piktorit Arben Golemi. A.K./TemA