
Ish-shefi i Sigurimit: Si u keqtrajtuan shqiptarët e Kosovës si të dyshuar për agjentë të UDB-së!
Dritare.net
Në një rrëfim personal dhe eksperti i sigurisë, Xhavit Shala, zbuloi një kapitull të fshehtë të historisë së regjimit komunist shqiptar: planet dhe përgatitjet konkrete për veprime në Kosovë.
Ai tregoi se si Sigurimi i Shtetit, përmes Drejtorisë së Zbulimit, stërviste në mënyrë sistematike shqiptarët e Kosovës që vinin në Shqipëri, me qëllim që ata të vepronin në prapavijë.
Shala zbuloi se edhe babai i tij, i ardhur nga Podujeva, ishte një nga personat që u stërvitën në Shqipëri për të kryer misione zbulimi dhe për të krijuar lidhje përtej kufirit.
"Ata stërviteshin nga strukturat e Ministrisë së Brendshme për kryerjen e veprimeve në prapavijë," konfirmoi ai.
Shala shpjegoi paradoksin tragjik ku shumë shqiptarë të tjerë të Kosovës, patriotë që arratiseshin nga persekutimi jugosllav, përfundonin duke u arrestuar dhe keqtrajtuar në Shqipëri si agjentë të UDB-së.
Sipas tij, kjo ishte shpesh rezultat i një taktike djallëzore të shërbimit sekret jugosllav, i cili dërgonte agjentë të vërtetë për të dezinformuar dhe për të njollosur patriotët e pafajshëm, duke bërë që Sigurimi i Shtetit t'i shihte të gjithë me dyshim.
"Ishte një taktikë e tyre që këta e përdornin, dhe vetë Sigurimi i Shtetit krijoi një pikëpyetje për çdo shqiptar të Kosovës," përfundoi ai./E.P-dritare.net

















