
Ish-koloneli Vladimir Mema: Shqipëria me pasuri ushtarake marramendëse, pse askush nuk dha llogari?
Dritare.net
Ish-koloneli Vladimir Mema, tashmë në pension, rrëfen me emocione të forta momentet më të vështira të jetës së tij si ushtarak, përfshirë edhe shpërthimin katastrofik në depot e armatimit në Picar, Gjirokastër më 1997.
“Shokët e mi u dogjën para syve, unë shpëtova për mrekulli. Nga 14 oficerë, 5 humbën jetën menjëherë, të tjerët u plagosën rëndë. Vetëm pak sekonda më ndanë nga vdekja,” – kujton koloneli Mema.
130 miliardë dollarë armatim – një pasuri që u zhduk pa gjurmë
Sipas tij, ushtria shqiptare në periudhën para viteve ‘90 kishte një rezervë armatimi dhe municionesh me vlerë marramendëse:
“Shqipëria kishte afro 130 miliardë dollarë armatim dhe mbi 60 miliardë dollarë municione. Pas vitit 1997, kjo pasuri u zhduk. U grabit, u shkatërrua, u shit. Por askush nuk ka dhënë llogari,” – thotë koloneli.
Ai akuzon klasën politike për mungesë përgjegjësie dhe heshtje të qëllimshme përballë një humbjeje kaq të madhe për shtetin shqiptar.
Thirrje për shtetin: Pastroni tunelet dhe bunkerët!
Në intervistën e tij, koloneli Mema i bën thirrje autoriteteve që të ndërmarrin hapa urgjentë për pastrimin e tuneleve, strehimeve dhe bunkerëve që ndodhen ende të paadministruar në shumë zona të vendit.
“Strehimet civile janë të bllokuara me dhe. Askush nuk kujdeset për to. Bashkitë s’e kanë në plan. Po a e kuptojnë që jetojmë në një botë të pasigurt?” – shprehet ai.
Kritikë e ashpër ndaj brezit të ri ushtarak: “Dinë gjuhë të huaja, por nuk njohin hartën e Shqipërisë!”
Një pjesë e fortë e intervistës së kolonelit ishte dhe analiza e tij mbi ndryshimet në formimin e brezit të ri të ushtarakëve:
“Ushtarakët e rinj studiojnë në Itali, Gjermani apo SHBA. Dinë shumë gjuhë, por nuk njohin fshatrat e Shqipërisë. Nuk e njohin hartën. Ne e njohim Shqipërinë pëllëmbë më pëllëmbë ?”
Koloneli shprehet se përgatitja strategjike e viteve të komunizmit, megjithëse e ngurtë, kishte për qëllim ruajtjen e sovranitetit. Ai vlerëson anëtarësimin në NATO, por këmbëngul se “shqiptarët duhet të jenë të përgatitur për çdo situatë, ashtu siç ishim dikur.”
Dëshmia e kolonelit Mema është një thirrje për reflektim mbi mënyrën si u shkatërrua një pjesë e madhe e pasurisë kombëtare dhe për gjendjen aktuale të forcave të armatosura. Ajo ngre pyetje të forta mbi përgjegjësinë politike dhe vizionin ushtarak të së ardhmes./L.F-dritare.net

















