
Ish-drejtori i ndërmarrjes bujqësore: Rezervat e shtetit janë bosh. Pse nuk ua blen grurin stok, fshatarëve?!
Dritare.net
Ish-drejtori i ndërmarrjes bujqësore, Aleksandër Jorgaqi, vuri theksin te subvencionimi i bujqësisë. Veterineri 90 vjeçar, tha se subvencionimi është politika kryesore që shteti duhet të ndërmarrë urgjentisht, pasi bujqësia në vend mund të bëhet një motor i rëndësishëm i ekonomisë në vend. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, zoti Jorgaqi, tha se shteti duhet t’ia blejë grurin e mbetur stok fshatarëve, për ta mbajtur në rezervat e saj.
“Unë mendoj që qeveria shqiptare duhet te merret seriozisht me bujqësinë dhe të subvencionojë bujqësinë dhe blegtorinë. Mua më vjen turp që në fshatra ka mbetur gruri pa u shitur. Pse nuk ua blen shteti fshatarëve për ta lënë në rezervat e shtetit?! Pse ua lë fshatarëve? Sivjet ata nuk do të mbjellin më grurë, aq sa mbollën vjet, sepse shteti i gënjeu. I tha të mbjellin grurë, pastaj nuk u gjeti treg.
Pse banka blen vetëm valutë, por nuk blen grurin ta fusë në rezervat e shtetit? Ku shkon një shtet pa rezerva? Çfarë do të bënte Greqia tani që gjithë fushat u përmbytën? E furnizon rezerva e shtetit. Ndërsa Shqipëria ua lë grurin fshatarëve, dhe i zhgënjen”, u shpreh veteriner në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga, në Dritare TV./L.F-dritare.net

















