Na ndiqni edhe në

Shqip

Studiuesi: Bajraku dhe fisi nuk janë e njëjta gjë, ja dallimet!

Studiuesi: Bajraku dhe fisi nuk janë e njëjta gjë, ja dallimet!

Në emisionin “Shqip” të drejtuar nga Dritan Hila në DritareTV, ishte i ftuar studiuesi dhe albanologu i njohur Mark Palnikaj, i cili u ndal në një temë të rëndësishme të historisë dhe antropologjisë shqiptare: institucionin e bajrakut dhe zhvillimin e tij nëpër shekuj.

Gjatë bisedës, Palnikaj bëri një analizë të detajuar të dallimeve mes konceptit të bajrakut dhe atij të fisit, dy elementeve kyçe të organizimit social dhe territorial në Shqipëri. Ai theksoi se, megjithëse termat shpesh përdoren ndërrueshëm në folklor, ata kanë kuptime dhe funksione të ndryshme, që lidhen me natyrën e marrëdhënieve midis njerëzve brenda komuniteteve tradicionale.

“Fjala ‘bajrak’ dhe fjala ‘fis’ janë dy koncepte të ndryshme. Në shqipen e sotme, fjala bajrak do të thotë ‘flamur’, ndërsa ‘bajraktar’ është ‘mbajtës i flamurit’, që nënkupton kryetarin ose udhëheqësin e një grupi. Ndërsa ‘fis’ është një njësi më shumë territoriale dhe gjaku, ku anëtarët lidhen nga një paraardhës i përbashkët dhe janë të gjithë farefis me njëri-tjetrin,” shpjegoi Palnikaj.

Ai shtoi se, sipas dokumenteve historike të Frang Bardhit, një nga studiuesit më të hershëm të kulturës shqiptare, brenda një fisi është e ndaluar të martohesh me njëri-tjetrin deri në 400 breza largësi, çka tregon qartë lidhjen e ngushtë gjaku dhe rregullat strikte të brendshme të fisit.

Nga ana tjetër, institucionit të bajrakut i është dhënë një dimension më shumë ushtarak dhe bashkues. Në territorin e një bajraku ndodhej një fis që ishte pjesa dominuese, por në të ishin të përfshirë edhe anëtarë të fiseve të tjera që jetonin pranë. Këta të gjithë bashkë, nën një flamur të përbashkët, organizoheshin për qëllime të mbrojtjes dhe përfshiheshin së bashku në luftëra. “Bajrakun mund ta shikojmë si një njësie ushtarake dhe organizative, ku njerëzit nga fise të ndryshme bashkohen për një kauzë të përbashkët,” vijoi albanologu.

Diskutimi në emision hapi dritë mbi një nga segmentet më komplekse dhe më pak të njohura të organizimit tradicional shqiptar, duke theksuar rëndësinë e njohjes së këtyre dallimeve për të kuptuar më mirë historinë sociale dhe politike të rajoneve shqiptare./K.C/dritare.net