
Veterineri 90-vjeçar: Shteti të subvencionojë bujqësinë, ose gjithçka do të shuhet!
Dritare.net
Mjeku-veteriner Aleksandër Jorgaqi i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV tha prodhimet shqiptare janë një pasuri e vendit tonë. Zoti Jorgaqi tha se shteti duhet të subvencionojë bujqësinë dhe të ngrejë bashkësitë fshatare, bujqësore, pasi bujqësia është një ndër motorët më të rëndësishëm ekonomikë që do ta çojë vendin në një tjetër nivel zhvillimi.
“Bujqësia sot është bërë shumë më e lehtë. Mundësitë, ata që duan i kanë të gjitha. Por duhet të punojnë.
Pse shteti rrit rrogat e deputetëve? Pse subvencionon vetëm drejtësinë? Kjo tregon që po merremi me degët, por jo me rrënjët. Të pyesë popullin a është gati të japë 10% nga rroga për të subvencionuar bujqësinë? Në mos 10%, 5% nga rroga, unë mendoj që çdo shqiptar do t’i jepte për bujqësinë.
Kur isha në Holandë në vitet ‘70 takova presidentin e fermerëve. E pyeta si u kthye një fshat i Holandës në një vend që sot nuk njihet, në është fshat, qytet, qendër industriale apo vend turistik. Më tha: Zotëri kam një porosi për ju shqiptarët. Fshatin holandez e bënë të pasurit e fshatit, që dëgjuan filozofë patriotë. Për ju shqiptarët kam veç një porosi.
Mos vini në krye të punëve të varfrit, jo vetëm nga ana materiale, apo dhe ajo mendore. Sepse punën e parë që bën i varfri, do pyesë pse vëllai im ka lopë më të mirë se unë, pse ka arë më të mirë se unë. Dhe do bëjë ç’të jetë e mundur qe të marrë edhe lopën e vëllait”, u shpreh zoti Jorgaqi në Dritare TV./L.F-dritare.net

















