
Ish-blloku në Tiranë kthehet zonë këmbësore. Ja projekti!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e projektit për kthimin në zonë këmbësore të ish-Bllokut, me mbështetjen e rrjetit botëror “WALK 21”.
Rama tha se nuk është e vërtetë që për të ulur trafikun, duhet të zgjerohen rrugët.
"Duhet t'i shmangemi idesë që për ulur trafikun duhet të zgjerojmë rrugët. Ka shumë gjasa që fluksi i trafikut të rritet, e kundërta është e vërtetë. Dekurajimi i trafikut është përgjigja. Kjo zonë është qendrore dhe e aksesueshme lehtësisht, një zonë nga ku banorët, distancat nuk janë të gjata dhe është një zonë që duke stimuluar ecjen do të jetë shumë më efikase edhe për bizneset që janë në zonë të cilat janë ato që ankohen të parat për ndërprerjen e aksesit me makina deri të dera.
Do ju sjell rastin e Vlorës ku u bë një debat për Lungomaren ku projektuesit belgë sollën një rrugë të ngushtë dhe ata që e kundërshtonin donin një rrugë shumë më të gjerë. Faktikisht rruga në Lungomare funksionon më së miri.
Fakti që shkohet më shumë në këmbë sesa me makinë, fluksi i njerëzve është shumë më i madh dhe natyrisht ajo çka u tha këtu është qasja e duhur që duhet një kohë informimi dhe shkëmbimit të projektit dhe idesë. Duhet të mendojmë më shumë hapësira për parkimin nëntokësor. Hapi tjetër është goditja e parkimit të dyfishtë që është problemi kryesor”-u shpreh kryeministri Rama./L.F-dritare.net

















