Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tirana mirëpret në qershor samitin Ukrainë-Evropa Juglindore

Tirana mirëpret në qershor samitin Ukrainë-Evropa Juglindore

Tirana është rikthyer sërish në qendër të diplomacisë rajonale, teksa zhvillohet samiti i ministrave të Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore dhe Ukrainës, me fokus sfidat e sigurisë europiane dhe mbështetjen ndaj Kievit përballë agresionit rus.

Samiti i parë për Ukrainën u mbajt më 28 shkurt 2024, ku liderët e rajonit dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përcollën një mesazh të përbashkët mbështetjeje ndaj Ukrainës në përballjen me luftën e nisur nga Rusia.

Dy vite më pas, Shqipëria pret sërish një takim të rëndësishëm diplomatik, këtë herë në nivel ministrash të Jashtëm, ku në qendër të diskutimeve janë kërcënimet hibride, dezinformimi, siguria energjetike, si edhe pasojat ekonomike që ka sjellë lufta në Ukrainë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pas takimit me homologun e tij ukrainas, deklaroi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Ukrainën në mënyrë të palëkundur.

Përmes një postimi në platformën X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në Ukrainë, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe situatën e sigurisë në Evropë.

“Shqipëria ka qëndruar fuqishëm përkrah Ukrainës që nga dita e parë e agresionit brutal rus dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me përkushtim të palëkundur, në çdo mënyrë të mundshme”, shkroi ai.

Takimi në Tiranë konsiderohet një tjetër sinjal i angazhimit të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit për të mbështetur Ukrainën, në një kohë kur lufta dhe pasojat e saj vijojnë të mbeten një nga sfidat kryesore për sigurinë evropiane./K.C/dritare.net