Marta Kos: BE-ja shpërndan 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi
Dritare.net

Shqipëria pritet të përfitojë një tjetër paketë financiare nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me vlerë rreth 200 milionë euro. Lajmi u bë i ditur nga komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, gjatë një deklarate në Bruksel përpara takimit mes ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas saj, fondi do të shpërndahet në ditët në vijim dhe do të përfitohet nga Shqipëria dhe Mali i Zi, dy vende që, sipas Komisionit Evropian, po avancojnë më shpejt në procesin e integrimit evropian.
“Ka një vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është përparësi për BE-në dhe nëse kandidatët tanë arrijnë rezultate, edhe ne duhet të përmbushim detyrimet tona. Në kuadër të Planit të Rritjes, zbatimi po ecën mirë dhe ditët në vijim do të shpërndajmë rreth 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë”, deklaroi Kos.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ka një vlerë totale prej 6 miliardë eurosh dhe synon të nxisë zhvillimin ekonomik të rajonit, përshpejtimin e reformave dhe investimet që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka ngrirë përkohësisht fondet për Serbinë, pas shqetësimeve të ngritura mbi ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë, të cilat sipas Brukselit kanë ndikuar në mosshpërndarjen e mbështetjes financiare nga BE./K.C/dritare.net