Meta: SPAK rrëzoi akuzën kryesore për lobimin 1 milion dollarë
Dritare.net

Ilir Meta ka deklaruar se SPAK ka rrëzuar sot akuzën kryesore ndaj tij për lobimin e pretenduar prej 1 milion dollarësh për një foto me Donald Trump. Pas seancës në GJKKO për dosjen “Meta-Kryemadhi”, kreu i Partisë së Lirisë tha se prokuroria ka pranuar se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë dollarësh, ndërsa paralajmëroi se edhe akuzat e tjera ndaj tij do të “çmontohen”.
Reagimi i Metës:
Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.
Para gjykatës prokurori pohoi se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë USD për McKeon Group, pikërisht ajo që kam deklaruar publikisht, por edhe në SPAK, që para 3 vitesh, kur jam thirrur për këtë çështje.
Shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër meje, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria.
Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës.", shkruan Meta./K.C/dritare.net