Historiani gjerman zgjodhi librin e Liri Lubonjës: Vizitova kampin e internimit. Sot është vend pasanikësh!
Dritare.net
Cord Pagenstecher është historian dhe përkthyes i njohur gjerman. Zoti Pagenstecher erdhi në Tiranë, për librin me kujtimet e Liri Lubonjës, “Larg dhe Mes Njerëzve”. I ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Pagenstecher foli për arsyet që e intriguan, për ta sjellë këtë libër për lexuesit gjermanë, por edhe për historinë e Liri Xhungës, në veprën Vajza me numër 67203.
“Unë jam historian dhe përkthyes nga shqipja në gjermanishte. Tani po përkthej librin me kujtimet e Liri Lubonjës. Momentalisht kam përkthyer mbi 100 faqe, por ka ende shumë punë për të bërë. Shpresoj që të arrij ta botoj vitin e ardhshëm në Gjermani. Librin e gjeta rastësisht në një bibliotekë në Berlin. Kërkova rastësisht për librin e Fatos Lubonjës, më pas gjeta edhe për librin e nënës së tij. Mendova që ishte shumë interesante ta sillja në gjermanisht. Fola me bashkëshorten time, për ta realizuar, sepse ajo ka një shtëpi botuese. Ajo është shqiptare nga Kosova. Bashkë kemi përkthyer më shumë se 30 libra, mes tyre edhe shumë shqiptare.
Për mua ka shumë rëndësi të dëgjojmë rrëfimet e grave, sepse i është dhënë një rëndësi më e madhe kujtimeve të burrave. Libri i Liri Lubonjës “Larg dhe Mes Njerëzve” më intrigoi sepse flet për internimin, burgun por tregon edhe jetën e përditshme të Shqipërisë nëpër fshatrat e Shqipërisë në atë kohë.
Libri titullohet “Mes dhe larg njerëzve”. Sepse ishte larg njerëzve, të birit, larg burrit, por ishte edhe me njerëzve. Mes të internuarve të tjerë, fshatarëve, punëtorëve. Përshkruan njerëz të ndryshëm me histori të ndryshme. Tregon për tiranasit, mirditorët, lezhjanët, zadrimorët, kosovarët, përshkruan të burgosurit, por edhe xhelatët.
Kështu mund të kuptojmë më mirë diktaturën, shoqërinë e atëhershme, të kuptojmë se nuk ka vetëm bardhezi, vetëm të mirën dhe të keqen.
Kam qenë në Fishtë vitin e shkuar. Kam vizituar vendin ku ka qenë ish-kampi i internimit. Kur Liria ka qenë atje nuk ishte kamp, por pika e internimit. Sot është restoranti Mrizi i Zanave, vendi i pasanikëve. Kam qenë edhe në Torovicë, në një tjetër kamp. Edhe sot ky vend, është ende i mjerueshëm”, u shpreh Pagenstecher në Dritare TV./L.F-dritare.net