Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Historia e babait tim, kryeinxhinierit të Minierës së Bulqizës! Flet Ylli Pata

Historia e babait tim, kryeinxhinierit të Minierës së

Gazetari Ylli Pata erdhi sot në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të treguar historinë e babait të tij Bujar Pata, kryeinxhinier në Minierën e Bulqizës për mbi 40 vjet. Ky është rrëfimi i djalit të një njeriu me zemër të madhe, të një minatori dhe një inxhinier që e deshi Minierën e Bulqizës deri në fund. Gazetari tregon se babai i tij ishte një nxënës ekselent që iu mohua bursa për mjekësi, por vetë Mehmet Shehu e çoi në shkollën e teknikumit. Bujar Pata hyri në teknikum, e mbaroi shkollimin, punoi pak kohë si teknik dhe direkt u bë kryeinxhinier në Minierën e Bulqizës. Nga ajo kohë ai ia kushtoi jetën kësaj miniere.

“Babai Bujar Pata lindi në vitin 1941 në Dibër. Babai im ishte mes 4 nxënësve që shkëlqyen në shkollën e Zerqanit. 3 shkuan për mjekësi, ndërsa babai jo se kishte babanë oficer të Zogut. Por ndërkohë e kishte pasur edhe partizan. Ai i shkroi një letër Mehmet Shehut në vitin 1957-ën që sa ishte bërë kryeministër atëherë. “Nuk më ka dalë bursa, dua të shkoj për mjekësi. Shokët e mi shkuan dhe unë jo.”
Mehmet Shehu i ktheu përgjigje: “Unë e kam parë biografinë tënde. Nuk është si thonë që babai yt ka qenë xhandar, sepse ai ka qenë edhe me luftën. Por ti nuk do shkosh për mjekësi, do shkosh në teknikën e minierave sepse je i pari nga zona dhe do bëhesh specialist i minierave.”
Babai im e ndoqi teknikumin e minierave për 4 vjet dhe ishte vetëm me 10-ta. Punoi 4 vjet teknik dhe shkoi në universitet. Edhe në universitet ishte ekselent. Pastaj shkoi në Bulqizë, u bë kryeinxhinier i minierës. Punoi 40 vjet në minierë. Në vitin 1991-1992 u bë deputet i PS-së. Bujarin e mori një mentor, që ishte ndër të parët që u shkollua në vendet e lindjes, në Poloni. Në atë kohë në ndërmarrjen shtetërore të Bulqizës kishte 5000 punëtorë që ishin nga të gjitha rrethet. Babai im sillej shumë mirë me punonjësit në ndërmarrje. I respektonte, i ndihmonte. Kjo u pa me varrimin e babait. Ishte humanist në kuptimin e plotë të fjalës. Kur doli në pension pas 1990-ës rrinte vetëm në Bulqizë.”, tregon gazetari.

Historia e babait tim, kryeinxhinierit të Minierës së
Ylli Pata flet për punën e të atit me të burgosurit që punonin në Minierën e Bulqizës, bisedat me ta dhe si i ndihmonte. Gazetari tregon për shpërthimin famëkeq në 1982-shin që i mori jetën 9 të burgosurve dhe u plagosën dhjetëra të tjerë mes tyre edhe i ati, kryeinxhinieri Bujar Pata. Nga ky aksident rrezikoi burgun edhe xhaxhai i tij që ishte kryeelektricisti në minierë.
“Bulqiza kishte shumë fuqi ekonomike sepse kromi ishte shumë i rëndësishëm. Prandaj u bë një qendër kulturore. U bë e famshme edhe për burgun. Burgu u zhvendos në Qafë Bar dhe kështu të burgosurit nisën të punojnë në miniera. Babai im ka qenë nga inxhinierët e parë që ka punuar me të burgosurit e Burgut të Bulqizës. Ai kishte marrëdhënie të mira me të burgosurit. Vetëm njëri prej tyre ishte i burgosur politik, doktor Koço, nga Durrësi. Kur u lirua nga burgu, babai i dërgonte punëtorë, të burgosur, që plagoseshin në minierë. Një tjetër fakt interesant është se babai mbante gjithmonë dy paketa cigare në xhep, njërën e mbante plot vetëm për të burgosurit, ai i ndihmonte shumë. Njëri nga të burgosurit që ishte nga Miloti e merrte në telefon çdo herë tim at. Kur vdiq babai ai erdhi apostafat nga Amerika.
Të burgosurit në Bulqizë ikën në 1981-1982-shin kur plasi gazi, që sot thonë hidrogjeni. Thanë që shpërtheu kabulli i tensionit të lartë dhe vdiqën 9 të burgosur dhe u plagosën pafund. Mes të plagosurve ishte edhe babai. Kryeelektriku i minierës asokohe ishte xhaxhai im. Në shtëpinë time u fol për këtë shpërthim shumë. Kur ndodhi ky incident xhaxhi im ishte shumë i stresuar sepse mendonte se do arrestohej. U bë një hetim dhe doli që xhaxhai im nuk kishte faj pasi kishte shpërthyer gazi. Në atë kohë kishte aksidente. Ama ishte dhe një skuadër shpëtimi e nivelit të lartë. Një skuadër speciale që ishte gati për çdo gjë. Ata ishin mekanikë, elektricistë dhe u bënë pjesë skuadrës së parë shpëtuese. Bënin stërvitje fizike të nivelit të lartë, ndihmën e parë. Ata kanë shpëtuar shumë njerëz. Por i nxorën në pension në vitet 1990-të që 50 vjeç.”, thotë gazetari.

Historia e babait tim, kryeinxhinierit të Minierës së
Sot, thotë Ylli Pata, Miniera e Kromit në Bulqizë që kishte 5000 mijë të punësuar është lënë në duart e krimit.
“Bulqiza përveç se u kthye në një realitet ekonomik, edhe i dhimbshëm, sepse ishin të burgosurit, ama kishte dhe jetë sociale në Bulqizë. Ama sot Bulqiza është një qytet i vdekur. Pas prishjes me Kinën filloi të binte ndërmarrja. Në 1987-ën u arrestuan shokët e ngushtë të babait, por ai pati fat që lëndoi këmbën në minierë dhe nuk u arrestua. Por babanë edhe e njihnin njerëzit e Byrosë. Pas 1990-ës miniera degradoi, nuk pati asnjë logjikë ekonomike dhe as një investim. Ajo minierë u copëtua në fund të regjimit komunist në 3-4 miniera. U vunë tre drejtorë thanë që do ta rrisin prodhimin, e shkatërruan fare. Sot galeritë i kanë njerëz të krimit, njerëz të frikshëm. Ju keni parë vrasje të njerëzve që dalin se kanë pasur galeri në Bulqizë. Ata që i kanë marrë galeritë e Bulqizës nuk janë nga zona. Janë njerëz të lidhur me pushtetin, njerëz të krimit, të politikës që kanë nga një galeri aty. Problem janë këto galeritë që quhen vrimat e zeza. Aty merren nja tre katër punëtorë që nxjerrin krom dhe aty vriten më shumë njerëz. Këto galeri duhet t’i marrë shteti, siç ndodh kudo në botë.”, përfundon gazetari Ylli Pata në DritareTV./K.C/dritare.net