
Gjyqtarët shqiptarë në mëshirë e fatit. Apeli i avokatit Ferdinand Doja pas vrasjes së gjyqtarit
Dritare.net
Ngjarja tragjike e ndodhur sot në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pas të shtënave me armë në sallën e gjyqit, ka rikthyer në fokus sigurinë e mangët të gjyqtarëve brenda sallave të gjykatave.
Në një intervistë për emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, avokati Ferdinand Doja komentoi ngjarjen dhe theksoi mungesën e masave mbrojtëse për gjyqtarët shqiptarë.
“Këta gjyqtarë janë lënë më mëshirë të fatit; nuk i mbron kush. Një gjyqtar mund të vritet në sallën e gjyqit, mund të vritet edhe në rrugë, sepse nuk ka asnjë mbrojtje. Në shtetin fqinj, Itali, gjyqtarët kanë status të veçantë dhe janë të mbrojtur,” tha Doja.
Ai shtoi se situata në gjykatat shqiptare është e papranueshme krahasuar me vendet e tjera:
“Në gjykatat italiane nuk futet dot as një majë gjilpëre. Në Gjykatën e Apelit nuk të kontrollon askush; aty ka vetëm një skaner që bën ‘bip’ sa herë hyn dhe del, por nuk është skaner i vërtetë që zbulon çdo gjë metalike që ke me vete. Nuk bëjnë asnjë kontroll. Në çdo gjykatë ndodh kështu, jo vetëm në Apel, përveç GJKKO-së. Unë sapo erdha nga Gjykata e Apelit të Londrës; atje të kontrollojnë edhe për një monedhë.”
Duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë, Doja kërkoi masa konkrete për sigurinë e gjyqtarëve:
“Nisur nga kjo ngjarje, unë kërkoj që të forcohet siguria brenda ambienteve të gjykatës; por kërkoj edhe që vetë gjyqtarët të jenë më të mbrojtur. Pas mbarimit të seancës, gjyqtari ikën me makinë ose në këmbë në shtëpi. Kush ka qëllim kriminal për ta vrarë gjyqtarin, mund ta sulmojë edhe kur ai po kthehet në shtëpi, madje edhe brenda oborrit të banesës së tij.”, thotë avokati në DritareTV./K.C/dritare.net

















