Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjykata e Tiranës rrëzon padinë për shpifje ndaj Lulzim Bashës, reagon Kryeministri

Gjykata e Tiranës rrëzon padinë për shpifje ndaj Lulzim

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka hedhur poshtë padinë për shpifje të ngritur në vitin 2018 nga Kryeministri i Shqipërisë ndaj kreut të opozitës së asaj kohe, Lulzim Basha. Vendimi, i marrë pas shtatë vitesh proces gjyqësor, ka shkaktuar reagime të forta nga ana e Kryeministrit.

Në një deklaratë publike, Kryeministri ka ironizuar arsyetimin e gjykatëses, sipas të cilit paditësi nuk ka pësuar dëm nga deklaratat e Bashës, pasi "aktualisht vijon të mbajë postin e Kryeministrit dhe perceptimi publik ndaj tij nuk është ndikuar".

“Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!”, shkruan ai, duke e cilësuar vendimin si absurd dhe të denjë për një vepër satirike, jo për një vendim të një gjykate të paguar nga taksat e qytetarëve.

Reagimi i tij vijon me kritika të forta ndaj sistemit gjyqësor, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin dhe kompetencën e gjyqtares që mori vendimin, si dhe përgjegjësinë e institucioneve mbikëqyrëse të drejtësisë për të garantuar standard profesional dhe etik në gjyqësor.

“Këtu halli nuk është çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje... Halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo”, thekson Kryeministri në reagimin e tij.

Reagimi i plotë:

"Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!!

Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!

Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur - kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim!

Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?! Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është farë çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh:-) Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!!", shkruan Rama./L.F-dritare.net