Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Florjan Binaj shpall kandidaturën për Kryetar të Bashkisë së Tiranës: Na duhet një drejtues qytetar, jo partiak

Florjan Binaj shpall kandidaturën për Kryetar të Bashkisë

Aktori dhe aktivisti i njohur Florjan Binaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor.

Në deklaratën e tij publike, Binaj theksoi se kjo është një nismë qytetare, e pavarur nga partitë politike, që ka në qendër nevojat reale të kryeqytetasve.

“Të dashur qytetarë të ndershëm e punëtorë të Tiranës, pas 34 vitesh ku drejtimi i kryeqytetit ka qenë i lidhur ngushtë me partitë politike dhe jo me qytetarët, ka ardhur koha për një figurë të pavarur, që i shërben të gjithëve njësoj,” deklaroi Binaj.

Ai u shpreh se synon të rikthejë besimin tek institucioni i bashkisë dhe ta kthejë atë “në një shtëpi për të gjithë qytetarët, përtej ndarjeve partiake”.

“Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët, sepse askush nuk mund të presë edhe 34 vite të tjera. Unë kandidoj për t’i shërbyer Tiranës dhe për të përfaqësuar çdo qytetar, me apo pa parti,” shtoi ai.

Binaj ftoi të gjithë qytetarët, intelektualët dhe përfaqësuesit e forcave politike që duan ndryshim të bashkohen me këtë nismë.

“Qëllimi im është ta nxjerrim bashkinë nga gjendja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’ua rikthejmë atë qytetarëve,” përfundoi Binaj./L.F-dritare.net