Na ndiqni edhe në

Bota

Si e bindi Trump- Netanjahun të pranojë planin për Gazën

Si e bindi Trump- Netanjahun të pranojë planin për Gazën

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se e ka bindur kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të pranojë planin amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për lirimin e pengjeve të Hamasit. Në një intervistë për Channel 12, Trump tha se i kishte thënë Netanjahut: “Bibi, kjo është mundësia jote për fitore”, duke theksuar se Izraeli dhe Hamasi janë më afër se kurrë një marrëveshjeje.

Sipas Trump, biseda telefonike me Netanjahun u zhvillua të premten, pak para se ai të bënte thirrje publike për ndaljen e sulmeve. Fillimisht Netanyahu shfaqi hezitim, por më pas ra dakord. “Me mua duhet të pranosh, nuk ke zgjedhje tjetër”, u shpreh Trump.

Ai shtoi se SHBA-të janë shumë pranë përfundimit të marrëveshjes që parashikon lirimin e të gjithë pengjeve dhe ndërprerjen e përleshjeve. “Jemi shumë pranë marrëveshjes dhe të gjitha vendet e mbështesin planin”, tha ai.

Pas ndërhyrjes së Trump, Netanjahu urdhëroi pezullimin e ofensivës për marrjen e qytetit të Gazës dhe ndërprerjen e bombardimeve ajrore, me qëllim nisjen e menjëhershme të zbatimit të fazës së parë të planit.

Në Egjipt pritet të mbërrijnë i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, për të diskutuar hollësitë teknike të lirimit të pengjeve dhe një plani paqeje afatgjatë.

Trump përmendi edhe presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, të cilin e quajti “shumë ndihmues” në shtyrjen e Hamasit drejt marrëveshjes: “Erdogani është i ashpër, por mik i imi dhe ka qenë i shkëlqyer”, tha ai.

Në fund, Trump theksoi se lufta në Gaza e kishte izoluar Izraelin në skenën ndërkombëtare dhe se një nga synimet e tij ishte rikthimi i mbështetjes globale: “Bibi e teproi dhe Izraeli humbi përkrahjen e botës. Tani unë do ta rikthej atë mbështetje”, deklaroi ai./K.C/dritare.net