
Ermal Hasimja shpall publikisht kandidaturën për Bashkinë e Tiranës: Duhet një kandidat i pavarur
Dritare.net
Analisti dhe pedagogu Ermal Hasimja ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor.
Hasimja tha se pozicioni më logjik për opozitën është të dalë me një kandidat të pavarur, që gëzon mbështetjen e një shumice sa më të gjerë të forcave opozitare.
“Berisha ka kërkuar që edhe kandidatët e tjerë të shprehin dëshirat dhe ambiciet e tyre. Duke pasur këtë mundësi, unë po i drejtohem zotit Berisha dhe kryesisë së PD-së, si dhe forcave të tjera opozitare, duke ju paraqitur publikisht kandidaturën time për kreun e Bashkisë së Tiranës,” tha Hasimja.
Ai theksoi se kandidatura e tij përputhet me kriteret që vetë Berisha ka përcaktuar: “kandidat i pavarur, pa logo partie, i mbështetur nga shumica e opozitës”.
“Prandaj, zoti Berisha mund ta quajë kandidaturën time të paraqitur dhe ta shqyrtojë,” përfundoi Hasimja./L.F-dritare.net

















