
Ferdinand Xhaferaj: Të gjitha arsyet pse i humb zgjedhjet PD-ja!
Dritare.net
Deputeti Ferdinand Xhaferaj ishte i ftuar në emisionin Dekalog nga gazetari Roland Qafoku në DritareTv.
Xhaferaj ka bërë një analizë ku tregon të gjithë arsyet që sipas tij nuk do ta lejojnë PD të shpallet fituese e zgjedhjeve të 11 majit.
Sipas deputetit Sali Berisha është përgjegjës se përse këto zgjedhje përfaqësohen nga një opozitë të pa fuqishme për të sjell rotacion politik.
“Unë kritikën e bazoj në argument ndaj them se zgjedhjet në demokraci i karakterizon pasiguria që fituesi nuk dihet. Ndryshe nga këto zgjedhje ku rezultati dihet, dhe prandaj janë zgjedhjet më të shëmtuara që kam parë ndonjëherë. Palët kanë hyrë në garë për interesa të kundërta, pra mënyra se si e djathta u konceptua dhe vendimmarrja që pati për këto 3 vite dhe për shumë gjëra të tjera është e formuar në atë mënyrë që nuk e siguron dot rotacionin. Nuk kam dëshirë ta pranoj por këto zgjedhje i fiton Partia Socialiste.
Që para 3 vitesh kur kam filluar kritikat për mënyrën se si po bëheshin punët në PD, e kam thënë dhe do ta them kam shumë dëshirë që Sali Berishës ti hiqet non-grata. Dua ti hiqet për mënyrën si e ka drejtuar këtë shtet krahasuar me të tjerët. Berisha mund të jetë i fundit që duhet të kishte atë status. Kam qenë dhe jam mbështetës i SPAK-ut por procesi ligjor që nisi ky institucion ndaj Berishës ishte mbi disa argumente të lëkundshëm këto qëndrime do ti them gjithmonë por këto nuk më bëjnë mua të besoj se do ti fitojmë zgjedhjet.
E mori Lulzim Bashën dhe e solli në PD, nuk e largoi as në 2017 e as në 2021-in kur Basha nuk ishte i zoti të zgjidhte hallin e demokratëve pra nuk fitoi. U mor dhe e largoi kur Lulzim Basha filloi të merrej me atë personalisht. Më pas ai u rikthye filloi me rithemelimin. Kjo na bëri ne të bashkoheshim përsëri duke menduar se problemet që kemi me Sali Berishën janë shumë më të vogla se sa me Lulzim Bashën. Ne nuk mund të zhvillonim luftë me njëri-tjetrin kur përballë kishim Edi Ramën. Gjithmonë mendonim se e nisi këtë lëvizje për të rikthyer rotacionin dhe vetë do të bënte një hap mbrapa. Nuk ndodhi. Caktoi drejtues politik jo mbi kritere se kush jep më shumë në qarkun caktuar por mbi kriterin kush më qëndroi mua afër dhe kush më shërbeu kur unë kisha probleme me drejtësinë.
Një element tjetër ishte që nuk i respektoi primaret. Gjithashtu ndërtoi lista me kriterin se kush i kishte shërbyer atij. Të gjitha këto janë arsyet pse ne po futemi në këto zgjedhje me një opozitë të pa fuqishme për të sjell rotacion politik.”- u shpreh deputeti Ferdinand Xhaferaj./E.P-dritare.net

















