Edi Rama në Berlin si artist, por i bën thirrje BE-së: Më shumë shpejtësi, më pak burokraci
Dritare.net

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shfaq në Berlin në një rol të pazakontë: si artist, duke prezantuar piktura dhe skulptura, por njëkohësisht duke dhënë edhe mesazhe të forta politike për Bashkimi Evropian.
Në një mbrëmje të veçantë në Ambasadën Italiane, Rama prezantoi 13 piktura të tij në kuadër të ekspozitës personale “Chrysalizing”, e cila po zhvillohet në galerinë Société. Ai u intervistua nga ambasadori Fabrizio Bucci, në një bisedë të mbushur me humor, kujtime dhe reflektime politike.
“Jam artisti më i mirë në botë mes kryeministrave dhe kryeministri më i mirë mes artistëve!”, u shpreh Rama me shaka, duke kujtuar edhe të kaluarën e tij si basketbollist, shkruan Ansa.
Duke folur për Evropën, ai theksoi se BE-ja është “një bekim” për Shqipërinë dhe ka luajtur rol kyç në ndërtimin e institucioneve. Sipas tij, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, BE-ja ka ndryshuar qasjen: “Më parë kishte fjalë të mira, por mungonin veprimet. Pas pushtimit, u kuptua se gjithçka jashtë bllokut mund të humbiste”.
Megjithatë, Rama kërkoi më shumë shpejtësi dhe vendosmëri nga BE-ja, duke kritikuar proceset e ngadalta dhe burokratike. “Duhet të bëjmë atë që duhet bërë. Do të ecim përpara sepse kështu përmirësohemi”, tha ai, duke shtuar me humor: “Nuk do të bëhemi kurrë Gjermani, por ndoshta një ‘Itali e vogël’”.
Ish-profesor në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe kryetar i Bashkisë së qytetit nga 2000 deri në 2011, Rama foli edhe për transformimin e Tiranës dhe ndryshimin e shoqërisë shqiptare, nga një shoqëri e fokusuar vetëm te mbijetesa drejt një interesi më të madh për jetën publike dhe zhvillimin kolektiv./K.C/dritare.net