
Me një ceremoni të veçantë dhe emocionuese, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nderoi këngëtaren me famë botërore Dua Lipa me shtetësinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit.
“Mirë se erdhe në shtëpi, Dua!” – ishte mesazhi i Presidentes Osmani në postimin e saj në rrjetet sociale, ku theksoi se ky është një nder i veçantë për Kosovën dhe një shprehje e mirënjohjes së thellë për gjithçka që artistja ka bërë dhe vazhdon të bëjë për vendin.
Presidentja tha se Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme, dhe se këngëtarja është një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha ndërkombëtare, duke përçuar me krenari identitetin dhe kulturën shqiptare.
“Dua është një inspirim për miliona njerëz anembanë botës, veçanërisht për të rinjtë tanë. Ajo ka bërë histori me arritjet e saj dhe e ka ngritur imazhin e Kosovës në nivelet më të larta ndërkombëtare,” theksoi Osmani.
Me dhënien e shtetësisë, Kosova i jep një njohje zyrtare dhe simbolike kontributit të Dua Lipës në promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare, jo vetëm në fushën e muzikës, por edhe përmes angazhimeve të saj në çështje sociale, edukim dhe përkrahjen e të rinjve kosovarë përmes fondacionit "Sunny Hill".
Kjo ngjarje përbën një moment domethënës jo vetëm për Dua Lipën dhe familjen e saj, por për gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët ndihen të përfaqësuar dhe të vlerësuar përmes sukseseve të saj globale.
“Kosova është gjithmonë krenare me ty!” – përfundon Presidentja Osmani./L.F-dritare.net

















