
Nga Ermal Barjami
Ka diçka thellësisht tragjike kur sheh një njeri që dikur ka pasur pushtet absolut mbi fatet e të tjerëve dhe më pas shfaqet i thyer jo thjesht politikisht, por edhe shpirtërisht. Jo sepse ai është viktimë e pafajshme përçka historia politike e Shqipërisë është shumë më komplekse për t’u reduktuar në bardh e zi por sepse të përball me një pyetje më të madhe: çfarë ndodh me karakterin e njeriut kur i hiqet pushteti, statusi dhe iluzioni i kontrollit?
Fotoja e sotme e Ilir Metës në seancën e gjykimit më solli ndër mend një krahasim shumë personal.
Mendova për gjyshin tim.
Një njeri që u dënua nga regjimi komunist me burgim të përjetshëm. Bëri 13 vite burg në një sistem që nuk të dënonte vetëm trupin, por synonte të të vriste shpirtin. Dhe megjithatë, kur doli nga burgu, ai nuk ishte një njeri i shpërbërë. Po, kishte plagët e tij. Kishte ritualet e burgut që nuk iu larguan kurrë ecjet e gjata nëpër shtëpi, heshtjet e çuditshme, disa fiksime që mbetën si jehonë e qelisë. Por nuk ishte i thyer në thelb. Nuk e pashë kurrë të humbiste boshtin e vet njerëzor.
Sepse ekziston një dallim mes njeriut që i mbijeton vuajtjes dhe njeriut që shembet sapo humbet privilegjin.
Carl Jung fliste për “hijen” atë pjesë të errët të personalitetit që njerëzit e fshehin pas maskës së suksesit, pushtetit dhe imazhit publik. Problemi është se shumë njerëz nuk ndërtojnë karakter, ata ndërtojnë vetëm maska. Dhe kur maska bie, njeriu zbulon se poshtë saj nuk ka forcë të brendshme.
Viktor Frankl, i cili vuajti në kampet naziste të përqendrimit, shkruante se njeriut mund t’i merret gjithçka përveç një gjëje: liria për të zgjedhur qëndrimin e tij përballë fatit.
Shumë nga elitat tona politike duket sikur kanë pasur vetëm pushtetin si arsye ekzistence. Jo idealin. Jo filozofinë. Jo karakterin. Jo një bosht të brendshëm moral. Dhe kur pushteti ikën, bie edhe identiteti i tyre.
Kjo është tragjedia e kësaj kohë .
Ata kanë kontrolluar institucione. Kanë ndikuar jetë njerëzish. Kanë ngritur dhe rrëzuar karriera. Kanë vendosur fatin ekonomik, profesional e ndonjëherë personal të mijëra shqiptarëve. Janë sjellë si njerëz të pathyeshëm.
Por në momentin që historia u kthye kundër tyre, shumë prej tyre nuk treguan as forcë stoike, as dinjitet tragjik.
Marcus Aurelius shkruante se dinjiteti i njeriut provohet kur ai humbet kontrollin mbi ngjarjet, por jo kontrollin mbi veten.
Ky është dallimi mes burrërisë së vjetër me gjithë dramat dhe ashpërsinë e saj dhe dobësisë moderne të njerëzve që jetuan shumë gjatë në luksin e pandëshkueshmërisë.
Një njeri mund të jetë i pafajshëm ose fajtor përballë ligjit këtë e vendos drejtësia. Por historia gjykon diçka tjetër, mënyrën si përballesh me rënien.
Madje edhe Fyodor Dostoevsky, i dënuar me vdekje dhe më pas dërguar në Siberi, doli prej ferrit me një kuptim më të thellë të shpirtit njerëzor jo i shpërbërë nga brenda.
Ndoshta problemi i Shqipërisë nuk është vetëm korrupsioni.
Problemi është mungesa e njerëzve me bosht të brendshëm.
Njerëz që dinë të mbajnë përgjegjësi. Të humbasin me dinjitet. Të përballojnë padrejtësinë pa u shpërbërë. Të durojnë fatin pa u kthyer në hije të vetvetes.
Sepse një komb nuk rrënohet vetëm nga hajdutët.
Rrënohet kur në krye të tij ngjiten njerëz që duken të fortë vetëm sa kohë mbajnë pushtetin në dorë por rezultojnë tmerrësisht të vegjël sapo mbeten vetëm përballë vetes./dritare.net