Ja si është gjendja shëndetësore e Ilir Metës! Flet avokati Kujtim Cakrani!
Dritare.net

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani ka folur në një intervistë për emisionin “Intervista e Ditës” në Dritare TV, një ditë pasi opinioni publik u përball me gjendjen e transformuar të ish-kreut të shtetit në kafazin e qelqtë gjatë seancës së parë gjyqësore të mbajtur ndaj tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi.
Cakrani u shpreh se Meta “gëzon shëndet të plotë” dhe nuk ka asnjë problem serioz fizik, por theksoi se 19 muaj paraburgim kanë ndikuar në gjendjen e tij të përgjithshme.
“Zoti Meta është mirë, edhe fizikisht edhe mendërisht. Por kini parasysh, ai ka 19 muaj në paraburgim dhe kjo sjell presion psikologjik,” tha avokati.
Sipas tij, kushtet e paraburgimit dhe kufizimi i daljes në ajrosje kanë ndikuar në ndryshimin e dukjes së ish-presidentit, i cili është parë më i dobësuar dhe me pamje të ndryshuar në publik.
Cakrani shtoi se Meta është aktiv fizikisht, merret me sport, lexon dhe po shkruan një libër, ndërsa theksoi se ndryshimi në pamje është pasojë e kohës së gjatë në izolim dhe jo e ndonjë problemi shëndetësor.
“Ka 19 muaj në paraburgim dhe natyrisht që njeriu ndryshon. Bën palestër dhe aktivitet, por izolimi ndikon,” u shpreh ai.
Avokati komentoi gjithashtu edhe procesin gjyqësor, duke thënë se seanca e fundit ishte procedurale dhe nuk u shqyrtuan provat, por u trajtuan çështje të legjitimimit të palëve dhe u shty për datën 11 maj.
Ai kritikoi gjithashtu mbajtjen e Metës në “kafaz xhami” gjatë seancës, duke e cilësuar këtë praktikë si “të panevojshme dhe diskriminuese”, ndërsa tha se mbajtja e të paraburgosurve në këto kushte bie ndesh me standardet evropiane të të drejtave të njeriut.
Sipas Cakranit, gjykata nuk pranoi kërkesën për heqjen e kafazit, duke u referuar në një vendim të mëparshëm të gjykatave franceze në një rast sigurie të veçantë.
Në përfundim, ai theksoi se procesi ndaj Metës është kompleks dhe do të zgjasë, ndërsa pala mbrojtëse kërkon pafajësinë e tij./K.C/dritare.net