
CEO i Ryanair për CNN: Shqipëria ndër destinacionet me rritjen më të shpejtë në turizëm dhe aviacion!
Dritare.net
CEO i kompanisë Ryanair Michael O’Leary, në një intervistë për CNN e cilëson Shqipërinë një histori suksesi jo vetëm për zgjerimin e mëtejshëm të kompanisë së tij, por në përgjithësi për rritjen mbresëlënëse të viteve të fundit.
O’Leary foli për rritjen e Ryanair në tregjet evropiane dhe gjetjen e destinacioneve të reja, duke veçuar Shqipërinë, ku aeroporti ka taksa të ulëta, duke u bërë shumë atraktivë për një sërë linjash ajrore. CEO i Ryanair theksoi se Shqipëria ka patur një rritje mbresëlënëse të pasagjerëve dhe është kthyer në një destinacion shumë të preferuar turistik.
“Tregjet me rritjen më të shpejtë për momentin janë Shqipëria dhe Maroku, që tashmë janë më lirë si destinacione sesa Greqia apo Ishujt Kanarie,” u shpreh O’Leary në intervistë.
Ai theksoi në intervistën me CNN se Ryanair ka arritur një rekord prej 200 milionë pasagjerësh në vitin 2024 dhe se është në eksplorim gjithmonë për tregje dhe mundësi të reja dhe një nga shtetet që ia ka ofruar më së miri këto mundësi është Shqëpëria përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Ky vlerësim vjen disa muaj pas hyrjes së Ryanair në tregun shqiptar, në tetor të vitit 2023, kur vetë O’Leary vizitoi Tiranën për të inauguruar fluturimet e para të kompanisë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, të menaxhuar nga Kastrati Group. Që prej marrjes në menaxhim nga Kastrati, në aeroport janë investuar më shumë se 120 milionë euro.
“Shqipëria është një destinacion që po njeh rritje të madhe turistike dhe kjo është diçka që ne e shohim shumë seriozisht për të investuar më tej,” u shpreh O’Leary gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Kjo deklaratë përforcon pritshmëritë se prania e Ryanair në Shqipëri do të vijojë të zgjerohet, duke sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e sektorit të aviacionit në vend.
Që prej hyrjes në treg, Ryanair ka ofruar fluturime të përditshme drejt disa destinacioneve kryesore europiane me çmime të përballueshme, duke rritur ndjeshëm lëvizshmërinë e udhëtarëve shqiptarë dhe duke e pozicionuar Shqipërinë më afër hartës turistike europiane.
Së fundmi, Ryanair prezantoi edhe programin e verës me mbi 320 fluturime javore nga Tirana drejt 23 destinacioneve fantastike, duke shtuar edhe dy destinacione të reja./dritare.net
View this post on Instagram

















