
Berisha: Nuk jap dorëheqjen. Rama na vodhi zgjedhjet!
Dritare.net
Sali Berisha kreu i opozitës në Shqipëri, akuzoi kryeministrin Edi Rama se i ka vjedhur zgjedhjet.
"Zgjedhjet e 11 Majit u diktuan që të gjitha nga krimi. Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale.
Skenat që ju patë në Vorë, ku banda e Xhabaftit diktoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve të Vorës, në të cilat zgjedhje, kryebanditi Blendi Xhabafti, mori vota dhjetë herë më shumë se kandidati i dytë në lista.
Kuptoni vetë se si janë zhvilluar zgjedhjet.
Por, skena si Vora ishin të zakonshme në një seri qarqesh dhe bashkish të tjerë, Durrës, Peshkopi, Elbasan, Fier dhe zona të tjera.
Zgjedhjet e 11 Majit u karakterizuan nga blerja publike më masive në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Zarfi me 100 euro, i dërguar në mes të fushatës elektorale dhe amnistia prej 200 milionë euro gjoba dhe kamata nga viti 2015 deri në vitin 2025, është blerja publike më e fuqishme që ka ndodhur në historinë e vendit.
Dhjetëra mijëra hektarë kanabis që u dhanë licencat për t’u mbjellë. Çdo bimë kanabis me prodhim fitimi 1 mijë euro, është përllogaritur për blerje votash në mënyrën më të pamëshirë.
Punësimi, punë për votë, u aplikua masivisht në këto zgjedhje.
Sistemi kriminal i patronazhistëve, i futur në strofulla ose rreth qendrës së votimit, ishte një polici terroriste, ndaj zgjedhësve shqiptarë.
Dy drejtuesit më të lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar, zëvendës të drejtores, u morën javët e para me të gjithë regjistrat e rrjetit agjenturor të Sigurimit të Shtetit dhe e aktivizuan atë për karrigen e Edi Ramës duke shkelur ligj dhe çdo gjë. Ne po evidentojmë me shumë përgjegjësi krimin elektoral", akuzoi Berisha./L.F-dritare.net

















