
Berisha: 21 Janari ishte krim shtetëror, por pa dashje
Dritare.net
Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pranuar për herë të parë se vrasjet e 21 Janarit 2011 përbëjnë krim shtetëror, por sipas tij, “pa dashje”. Deklarata u bë jashtë godinës së SPAK, ku Berisha u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në kuadër të hetimeve për çështjen “Partizani”.
I pyetur nga gazetarët nëse ndan të njëjtin qëndrim me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si krim shtetëror, Berisha tha:
“E kam thënë unë vetë që është krim shtetëror, por pa dashje. Sepse nuk mund të thuhet që ata nuk u vranë nga njerëz të shtetit. Por krimi shtetëror ka klasifikim: me dashje dhe pa dashje. Ai i 21 Janarit ishte krim shtetëror pa dashje.”
Duke sqaruar më tej këtë qëndrim, Berisha deklaroi:
“Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse Garda ka pasur një ligj. Unë e kam thënë 5-6 vjet më parë që është krim shtetëror pa dashje. Në rastin e krimit shtetëror, dëmshpërblimi nga shteti për viktimat është më i madh. Këta, siç di unë, janë dëmshpërblyer me shuma, nuk di të them afrohen në shkallën e duhur apo jo. Ata u vranë nga armët e shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Dhe është faktuar kjo që them. Nuk ka pasur absolutisht asnjë urdhër.”
Berisha vijoi më tej duke akuzuar kryeministrin Edi Rama si “përgjegjësin kryesor” për protestën dhe ngjarjet e asaj dite:
“Aq sa është përgjegjës Edi Rama direkt që i solli aty. Ka një deklaratë të qeverisë amerikane që thotë të hetohet nga polici te organizatori. Ka një deklaratë tjetër që demonstrata ishte e dhunshme dhe kishte axhendë politike. Edi Rama është përgjegjësi kryesor.”
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur çështja “21 Janari” është rikthyer fuqishëm në debatin publik pas vendimit të GjEDNJ, i cili konfirmoi përgjegjësinë shtetërore në vrasjen e protestuesve dhe ngriti pikëpyetje mbi mosndëshkimin e autorëve./K.C/dritare.net

















