
Altin Dumani: Pavarësia e SPAK nuk duhet cenuar nga rekomandime të paqarta e të njëanshme
Dritare.net
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, mori pjesë sot në tryezën e diskutimit me temë “Vlerësim bazë i Pavarësisë dhe Llogaridhënies së SPAK si parakushte për Garantimin e Performancës dhe Integritetit Institucional”, e organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Gjatë fjalës së tij, Dumani theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë funksionale të SPAK, duke paralajmëruar për rreziqet që sjellin rekomandimet e paqarta dhe të njëanshme.
“Ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura kur janë të argumentuara mirë dhe i shërbejnë nevojave reale për përmirësim. Çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë funksionale të SPAK, nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme, rrezikojnë të ç’balancojnë kufijtë kushtetues mes pushteteve,” deklaroi Dumani.
Sipas tij, vetëm respektimi i ndarjes së pushteteve dhe forcimi i institucioneve të pavarura mund të garantojnë suksesin e reformës në drejtësi dhe besimin e publikut ndaj saj.
Ai shtoi se në raportin vjetor të SPAK gjenden të gjitha shpjegimet mbi mënyrën se si janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave.
“Vlerësojmë se rekomandimet duhet të bazohen në analiza të thelluara, objektive dhe të konsultuara me institucionet e pavarura kushtetuese, në mënyrë që të sigurohet një komunikim funksional, pa tejkaluar kufijtë kushtetues,” u shpreh kreu i SPAK.
Tryeza e diskutimit synoi të adresojë sfidat dhe pritshmëritë për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të reja të drejtësisë, me fokus të veçantë tek Prokuroria e Posaçme dhe roli i saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./K.C/dritare.net

















