
Vrasje në Gjykatën e Apelit, gazetari: Nëse ndodh në sallën e gjyqit, çfarë mund të ndodhë në rrugë!
Dritare.net
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot vendin, ku brenda sallës së Gjykatës së Apelit u vra me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur.
Gazetari Bekim Biçi, i cili ka ndjekur shpesh procese gjyqësore brenda atyre ambienteve theksoi se në gjykata , çdo hyrje shoqërohet me kontrolle të imtësishme, ndaj fakti që agresori ka mundur të hyjë i armatosur në sallën e gjyqit është i papranueshëm dhe i palogjikshëm.
“Unë kam qenë disa herë në gjykata. Aty të kontrollojnë deri në detaj, të marrin telefonin, kalon nëpër kontroll fizik. Si është e mundur që dikush hyn me armë në sallën e gjyqit? Të thuash se policia nuk ka përgjegjësi, është absurde. Në vendin tonë nuk ka më siguri,” – deklaroi Biçi.
Pas ngjarjes, Ministria e Brendshme reagoi me një deklaratë zyrtare, ku theksonte se Policia e Shtetit nuk ka përgjegjësi ligjore për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave, por vetëm për ndërhyrjen pas ndodhjes së ngjarjeve.
Por për gazetarin Biçi, ky reagim është “i pavend dhe shmang përgjegjësinë”:
“Nëse policia nuk ka përgjegjësi për hyrje-daljet, atëherë pse ne gazetarët kontrollohemi deri në imtësi sa herë që hyjmë në gjykatë? Ata që na kontrollojnë janë policë. Të thuash sot që nuk ke përgjegjësi për këtë që ndodhi, është e papranueshme. Duhet të ngrihet në këmbë shteti, shoqëria civile, sepse kur ndodh një vrasje brenda sallës së gjyqit, çfarë mund të ndodhë më në rrugë?”, – përfundon gazetari./E.P-dritare.net

















