Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga Tirana në politikën amerikane! Kush është Joe Hoxha, shqiptari që fitoi zgjedhjet e SHBA-së

Nga Tirana në politikën amerikane! Kush është Joe Hoxha,

Shqiptaro-amerikani Joe Hoxha ka siguruar një mandat të tretë në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Connecticut-it, pas zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I lindur në Tiranë dhe i rritur në SHBA, Hoxha ishte i vetmi nga gjashtë kandidatët me origjinë shqiptare që rezultoi fitues sipas të dhënave paraprake të publikuara më 4 nëntor.

Republikani fitoi një garë të ngushtë për Distriktin e 78-të përballë demokratit Nate Brown. Sipas rezultateve jozyrtare, Hoxha siguroi 4,585 vota, ose 50.91%, kundrejt 4,421 votave të rivalit të tij, duke fituar me një diferencë prej vetëm 164 votash. Fitorja i mundëson atij të vazhdojë përfaqësimin e zonave Bristol dhe Plymouth në legjislaturën e Connecticut-it.


Por kush është Joe Hoxha?

Joe Hoxha lindi në Tiranë dhe u largua drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, kur ishte vetëm tre vjeç e gjysmë. Familja e tij u vendos në Bristol, Connecticut, në kërkim të mundësive për një jetë më të mirë.

Prindërit e tij fillimisht punuan në vende pune me paga minimale, përpara se të siguronin punësim në sektorin e prodhimit industrial. Hoxha u rrit në një familje punëtore në lagjen West End të Bristolit, ku ndoqi edhe shkollën.
Më pas ai studioi në Universitetin e Connecticut-it, ku u diplomua në Shkenca Politike dhe Sociologji.

Interesi për politikën e shoqëroi që në rini. Pas përfundimit të studimeve, Hoxha u angazhua në fushata elektorale të kandidatëve republikanë në disa shtete amerikane, përfshirë Teksasin, Virxhinian, New Hampshire-in dhe Misurin.

Në vitin 2017, ai drejtoi një fushatë të suksesshme të republikanëve në zgjedhjet vendore të Plymouth-it. Dy vite më vonë nisi të punonte në sektorin financiar, në një bankë lokale, duke vijuar paralelisht angazhimin politik. Hoxha u zgjodh për herë të parë në Dhomën e Përfaqësuesve të Connecticut-it në vitin 2022, duke marrë detyrën në janar 2023. Ai u rizgjodh në vitin 2024 dhe tashmë, me fitoren e nëntorit 2026, siguron mandatin e tretë.

Gjatë aktivitetit të tij politik, Hoxha është angazhuar në çështje që lidhen me ekonominë, taksat, sigurinë publike, arsimin dhe mbështetjen e bizneseve. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e komisioneve parlamentare për buxhetin, bankat, administratën publike dhe zgjedhjet. Pavarësisht se është rritur në Shtetet e Bashkuara, Hoxha ka ruajtur lidhjet me vendlindjen. Në intervista të mëparshme ai ka treguar se është kthyer disa herë në Shqipëri dhe ka folur për rëndësinë e angazhimit të brezave të rinj shqiptarë në zhvillimin e vendit. Fitorja e tij në Connecticut vjen në një kohë kur kandidatët e tjerë shqiptaro-amerikanë nuk arritën të siguronin fitore në garat e tyre./dritare.net