Namik Dokle i përgjigjet ftesës për Asamblenë e PS-së!
Dritare.net

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste mblidhet të shtunën, më 14 nëntor, jashtë Tiranës, në një resort në Gjirin e Lalzit.
Namik Dokle është anëtar i Asamblesë, por në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në Dritare TV tha se nuk beson të marrë pjesë këtë herë.
“Jam, po nuk besoj të shkoj kësaj radhe”, tha Dokle. Si arsye përmendi promovimin e romanit të tij të ri: “Sepse kam problemet e librit. Unë prandaj e kam lënë politikën, që të shkruaj libra.”
Ai tregoi se njoftimin për mbledhjen e kishte marrë nga selia e Partisë Socialiste.
“I nderuar anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së, ju njoftojmë që ditën e shtunë, datë 14.11.2026, ora 10:00 në Gjirin e Lalzit, Durrës, do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ju lutem merrni masat për të marrë pjesë në mbledhje.”
Pastaj lexoi edhe përgjigjen që kishte kthyer: “Faleminderit. Me datën 13, ora 13, në Akademinë e Shkencave promovoj romanin tim të fundit.”
Nga selia e partisë i kishin shkruar: “Urime. Faleminderit. Ditë të mbarë.”
Romani i ri i Namik Doklës, “Zhdukja e çmimit Nobël”, promovohet të premten, më 13 nëntor, në orën 13:00, në Akademinë e Shkencave./dritare.net