“Na ishte njëherë”, Elia rrëfen detajet e librit për Geraldinën: E lumtur që po i bëj këtë dhuratë, Princ Lekës!
Dritare.net
Elia Zaharia Zogu, princesha shqiptare vjen në një dimension të ri, thuajse aspak të panjohur për publikun këtë vjeshtë. Ajo vjen në rolin e rrëfimtares së një përralle që ka ndodhur në të vërtetë, jo shumë kohë më parë, pikërisht në Shqipëri. Është historia e mbretëreshës së shqiptarëve, Mbretëreshës Geraldinë, e cila u martua me mbretin Zog I. Si të gjitha përrallat me princesha e mbretëresha edhe kjo që tregon Elia, fillon “Na ishte njëherë në një mbretëri të largët dhe të bukur…”.
Princeshë Elia në një intervistë për dritare.net na tregon disa detaje më tepër rreth librit të saj “Trëndafili i bardhë”, një përshtatje e historisë së vërtetë të mbretëreshës së shqiptarëve në një përrallë për fëmijë, që vjen i botuar nga "Albas". Për dritare.net Elia thekson se ky libër është një dhuratë për Princ Lekës. "Nuk mund ta kthejmë në jetë familjen e tij të shtrenjtë, por mund t’ia kthej në mënyren time…Me një përrallë të ndjerë dhe të sinqertë", thotë Elia.
Elia, si ju lindi ideja për të shkruar për fëmijë historinë e Mbretereshës Geraldinë?
Mendoj që gjatë këtyre viteve pranë Princ Lekës dhe Familjes Mbretërore, figura e Mbretëreshës Geraldinë më ka frymëzuar shumë. Kam patur fatin të kem akses në arkivat e familjes, foto, letërkëmbime, biografitë e shkruara për të, si edhe kujtimet e rrëfimet e bashkëshortit tim. Mendoj që ajo periudhë e historisë është shumë joshëse dhe trajtohet vazhdimisht nga historianët, por çuditërisht mungonte një hallkë e rëndësishme, ajo e parë në këndvështrimin e përshtatshem për fëmijët. Për mua që jam rritur me përrallat e gjyshërve e prindërve të mi, është shumë e rëndësishme që edhe të vegjëlit të kenë përrallën e tyre, që u përket atyre, pasi është pjesë e historisë së vendit tonë. Mendoj ndonjëherë, vende të tjera i kanë krijuar mbretëritë imagjinare në përrallat e tyre, ndërsa ne e kemi patur dhe Mbretëresha Geraldinë është më frymëzuesja për përrallë, pasi jeta e saj i ka të gjithë elementet e duhur ku mund të mbështetesh. Përralla e Trëndafilit ka qëndruar me mua për disa vite, i jam kthyer e rikthyer. Ja lexoja familjarëve, të cilët me inkurajonin ta çoja deri në fund. Një ditë vendosa t’ia lexoj mikeshës sime të ngushtë Ledia Kostandini, që është edhe ilustratorja e librit. Ajo e pëlqeu dhe u shpreh entuziaste për të bashkëpunuar, por pa u ngutur, duke marrë kohën e mjaftueshme që përrallës t’i jepej kujdesi i merituar. Dhe kështu le të themi filloi bashkëpunimi ynë i cili vazhdoi për dy vite, duke punuar e hulumtuar, deri në kurorëzim të këtij krijimi.
Mendoni se ardhja e saj në Shqipëri dhe martesa me mbretin Zog ishte vërtetë si në përrallë?
Kësaj pyetjeje, Mbretëresha Geraldinë i përgjigjet më së miri në dy biografitë e autorizuara të saj, ajo e sjellë nga autorja Gëen Robins dhe ajo e Josefine Dedet. Mbretëresha rrëfen dashurinë e saj me shikim të parë me Mbretin Zog dhe një vit përrallor pranë tij, ku ajo pati mundësinë të vizitojë të gjitha krahinat e Shqipërisë, ku u njoh dhe u mrekullua me zakonet dhe traditat tona. Sigurisht, kam përshkruar mbretërinë e vërtetë, të cilën Mbretëresha Geraldinë e përqafoi fort në zemër deri ditën e saj të fundit. Çdo traditë shqiptare, çdo element kombëtar, ka shenjuar dhe lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e saj. Ndaj edhe amaneti i saj ishte të kthehej dhe t’i mbyllte ditët këtu, në vendin tonë, në vendin që i vuri kurorën e mbretëreshës. Jeta e saj ishte realisht si një përrallë, me shumë ulje-ngritje, me fate të parashkruar, me amanete të çuara në vend, me ëndrra që bëhen realitet pas shumë vitesh...Vetë historia e saj të fton drejt këtij zhanri, që besoj ende sot është i preferuari im.
Ju është dashur shumë punë për të mbledhur gjithë informacionet që ndoshta nuk i dinit për jeten e Geraldinës para se të martohej me mbretin Zog?
Fabula e përrallës është jeta e Geraldinës nga fëmijëria e hershme në Hungari, si konteshëz e vogël e Perandorisë Austro-hungareze, formimi i saj, momentet e vështira që në moshë të njomë, deri tek ardhja në vendin e shqiponjave dhe martesa me Mbretin Zog.
Kam lexuar dhe hulumtuar shumë, por jo me synimin për të sjellë përrallën. Fillimisht jam thelluar në lexime historike dhe prej tyre, si edhe tregimeve të Princ Lekës, i cili është rritur nën përkujdesjet e Mbretëreshës Geraldinë, jam frymëzuar dhe dëshira për të shkruar për të ka ardhur shumë natyrshëm. Por sigurisht, bëhet fjalë për një përrallë, e cila ka shumë elementë imagjinarë, personazhe fiktive gjithashtu. Gjithsesi elementet bazë janë marrë nga jeta e saj dhe mbi to kam krijuar dhe udhëtuar në imagjinatën time.
Sa kohë ju ka marrë shkruarja e kësaj përralle të vërtetë?
Përrallën e kam përfunduar së shkruari para shume kohësh. Nuk di të them sa kohë më ka marrë ekzaktësisht, pasi shkruaja dhe e lija të pushonte në sirtar, për t’iu rikthyer më vonë. Puna me ilustrimet, së bashku me mikeshën time, Ledia Kostandini na ka marrë rreth dy vite intensive. Nuk mendoj se do kisha mundur ta realizoja këtë libër me dikë tjetër, pasi njohja e hershme me Ledian, besimi absolut te njëra-tjetra, ka bërë që përpos bashkëpunimit, ky liber të jetë një histori miqësie shumë e fortë.
Princ Leka e ka lexuar librin, a ka bërë ndonjë koment?
Sigurisht e ka lexuar që kur ishte thjeshtë një skicë-ide. Më ka mbështetur dhe inkurajuar ta çoj përpara. Ai është mjaft i lumtur dhe i prekur njëkohësisht, pasi Mbretëresha Geraldinë përpos aureolës dhe sharmit të saj të padiskutueshem si mbretëreshë, ka qenë gjithashtu një gjyshe e përkushtuar, e cila është kujdesur dhe e ka rritur Princ Lekën me të gjithë përkushtimin dhe dashurinë e saj! Unë vetë jam shumë e emocionuar që po ia bëj këtë dhuratë Princ Lekës. Nuk mund ta kthejmë në jetë familjen e tij të shtrenjtë, por mund t’ia kthej në mënyren time...Me një përrallë të ndjerë dhe të sinqertë.
Si është kjo puna me princeshat dhe përrallat, përse ekziston kjo "magjepsje" pas tyre sipas teje?
Nuk di të jap një përkufizim. Ndoshta, pasi te princeshat e përrallave përveç bukurisë e hijeshisë, gërshetohet një mirësi dhe karakter i vendosur dhe i drejtë. Princesha i bën sjellja e mirë, dhimbsuria dhe empatia, prandaj na frymëzojnë dhe i duam.
Po Elia, si po e jeton përrallën e saj?
Unë jam natyrë e hapur dhe popullore, se me këtë frymë më kanë rritur prindërit e mi dhe nuk shoh arsye përse të impostohem ndryshe. Më pëlqen të flas me njerëzit, jam kurioze dhe hyj menjëherë në bisedë. Ky raport, mendoj se duhet të jetë i sinqertë. Përgjegjësia është padyshim e madhe kur hyn në një familje me histori, kontribute dhe tradita. Sot kuptohet, konteksti është i ndryshëm. Fatmirësisht prej vitesh Princ Leka jeton në vendin e tij. Kjo na vendos shpeshherë në rol përfaqësimi, sidomos në udhëtime jashtë vendit, si edhe mbajtjen dhe përforcimin e lidhjeve me Familjet e tjera Mbretërore.
Sigurisht, në momente të ndryshme respektohet nje protokoll i veçantë, por mendoj se është shumë e rëndësishme që në çdo rrethanë të jem vetvetja dhe të mos dal kurrsesi nga natyra ime! Njerëzit i vlerësoj kur janë të thjeshtë dhe të vërtetë, ndaj nuk hyj në asnjë rol kur vjen fjala tek raportet njerëzore. Thjeshtësia është çështje filozofie mbi perceptimin ndaj vetes. Mendoj se njerëzit e thjeshtë kanë besim në vetvete, në personalitetin e tyre, në atë çka janë dhe nuk i gjykojne të nevojshme mburojat me artifice. Gjithashtu, prej vitesh tashmë i jam kushtuar edhe fondacionit të familjes “Mbretëresha Geraldinë”, i cili erdhi si rezultat i një reflektimi të gjatë. Mendoj se një status i veçantë përveç pjesës glamour që njerëzit i veshin, mbart në vetvete një tjetër dimension, i cili për mua është më kuptimploti.
Puna me Fondacionin me lejon të jem pranë shtresave në nevojë dhe të njoh më mirë realitetet e ndryshme të vendit tim. Përsa i përket punës sonë, unë jam marrë personalisht me çdo projekt. E kam parë në çdo detaj dhe nuk e jetoj aspak në mënyrë pasive mundësinë që më është dhënë. Të gjitha këto të bëjnë të relativizosh për jetën tende, t’i shohësh problemet e përditshme me sy krejt tjetër. Këto realitete kthehen në motiv për të luftuar, për të qenë sa më në dëgjim të të tjerëve!. dritare.net