Mbyllja e lojërave të fatit/ Psikologët: Nervozizëm te të varurit, ja si ta kalojnë më lehtë!

Psikologët i cilësojnë pikat e basteve si vatra të degradimit të familjes dhe shoqërisë. Sipas tyre, mbyllja e këtyre pikave më 1 janar, me fillimin e këtij viti, ka shkaktuar nervozizëm te personat e varur nga lojërat e fatit.

Psikologe prej 10 vitesh, Gejsi Ndoja thotë se fundi i këtij aktiviteti ka pasoja psikologjike, si te njerëzit që punonin në to, por mbi të gjitha tek ata që luanin.

“Normalisht e përjetojnë, nervozizëm do të ketë. Në ditët e para do të përpiqen të gjejnë forma nga më të ndryshmet, ndoshta edhe online. Çdo gjë iu duket sikur është kundër tyre, e madje iu duket sikur familjarë, miq e shokë janë bërë palë. Mendojnë sikur tjetri po gëzon për dhimbjen që ata vet ndiejnë. Ndoshta mund të kemi edhe mbyllje të këtyre individëve, pasi nuk kanë si ta nisin ditën”, tha Gejsi Ndoja, psikologe.

Psikologia tregon edhe sesi vjen shpëtimi prej varësisë.

“Aktiviteti fizik është parësor, organizimi i një dite sa më të ngjeshur gjithashtu. Përmes kësaj ata ndiejnë që po kënaqen. Pra duhet gjetur një formë tjetër për t’i kënaqur ata”, thotë më tej Gejsi Ndoja.

LEXO DHE :  Shtyhet me disa orë fluturimi i Ramush Haradinajt

Individët e kanë të vështirë të pranojnë varësinë nga lojërat e fatit, që prej tyre konsiderohen si argëtim. Moshat e reja janë më të prekurat.

“Përgjithësisht janë moshat 30-35 vjeç, ndoshta ato që sapo kanë filluar karrierën dhe mundohen të fitojnë sa më shumë. Por kjo nuk është kaq e thjeshtë. Janë paraqitur për stres, lodhje nga puna, ngarkesë të madhe psikologjike dhe më pas del se e gjithë kjo ngarkesë rrjedh po nga lojërat e fatit”, tha psikologia.

Çdo varësi do kohën e vet, nuk shërohet sa hap e mbyll sytë.

“Gjithmonë një problem do kohën e vet që të kapërcehet. Një problem ndoshta nuk mund të kalohet shpejt, por varësia nga lojërat e fatit është më e thjeshtë për t’u kapërcyer. Do të ishte shumë mirë nëse individët ndërgjegjësoheshin dhe trokisnin te psikologu”, tha Ndoja./top channel

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.