

Arrogant. Provokator. Elokuent. Populist. Inteligjent. Për pasojë i rrezikshëm. Ky është
Matteo Salvini, djali plangprishës i qeverisë Italiane, që pasi ju shtua oreksi dhe kuptoi që
çka deri sot kishte në tavolinë s’i mjaftonte më, vendosi që pikërisht tavolinën e qeverisë së
radhës ta kthente përmbys me synimin për të shkuar drejt zgjedhjeve, prej të cilave
pretendon të dalë si kryeministër i ri.
E megjithatë, rruga drejt pushtetit ka kthesa të papritura dhe një nga këto duket se do t’i
dalë në shteg liderit të Legës në javët në vijim. Në një lëvizje taktike kryeministri-deri-sot
konsensual dhe jopartiak Conte dha dorëheqjen. Në fjalimin e tij ai fshikulloi me thjeshtësi,
por drejtëpërdrejtësi Ministrin e Brëndshëm Salvini duke e etiketuar si politikan interesash
personale dhe partiake që ndodhej i ulur jo më larg se në krahun e tij të djathtë. Çka me
gjasë pritet të ndodhë është një spostim i Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokrate drejtë një
marrëveshje qeverisëse në një përpjekje për të evituar zgjedhjet e rrjedhimisht në një
stërkëmbësh të suksesshëm që jo vetëm do pengonte Matteo Salvinin të vraponte drejt
votimeve me synime kryeministrore, por do e hidhte atë në opozitë.
Ndërkohë Salvini si populist është aq skrupoloz sa të përdorë deri edhe Zotin, Marinë dhe
krishtërimin (siç bëri sot) dhe si mjeshtër i marrëdhënieve me publikun aq i
paparashikueshëm sa të braktisë ndoshta-seancën-më-të-rëndësishme të mandatit për të
shkuar në zyrën e Ministrisë së Brëndshme që me qytetarët Italianë të mos flasë nëpërmjet
mediave nga Parlamenti, por nëpërmjet Facebook Live nga telefoni.
Ai, kur flet në emër të Italianëve bën politikë duke përdorur terma me peshë si dinjiteti,
sovraniteti, koshienca tek-tuk fraza në latinisht dhe prej aty, përvishet me gjuhë krejt të
zakonshme, por të zhdërvjellet e po aq agresive drejt kundërshtarëve të vjetër e tashmë
edhe të rinjve duke i quajtur qeveritarucë, vegla të Macron dhe të nënshtruar të Merkel.
E gjithë kjo ka brënda ambicien e vjetër të një politikani që me politikë është marrë qysh në
rini dhe njëkohësisht padurimin për t’u ngopur të një pushtetari që i është dashur të presë
shumë gjatë për të pasur një rol influencues në politikën e madhe. Por nuk është kjo, ajo që
e bën Salvinin të rrezikshëm. Zhdërvjelltësia oratorike e liderit të Lega-s, tashmë nuk
përfaqëson vetëm atë, por trupëzon kërkesat politike të të paktën 36% (sipas sondazheve)
të elektoratit vendas që përmbushjen e interesave të Italianëve e sheh të mundur vetëm
nëpërmjet mospranimit të emigrantëve, euro-skepticizmit dhe proteksionizmit. Pikërisht
këtu qëndron tehu i shpatës që ai fshikullon pa drojë vetëm sepse këtë teh ka qenë ai që e
ka mprehur.
Dhe në këtë luftë shpatash e ditë fërkimesh sa impenjative aq edhe interesante të politikës
në Apenine, Salvini në mënyrë të pavetdijshme mund t’i ketë ftuar Italianët nëpërmjet një
citim që i bëri Cicëronit me shprehjen “ Liria e vërtetë nuk është të kesh padronin e duhur,
por të mos kesh asnjë padron. “ të pyesin veten a mos është pikërisht Salvini i pari në listën
e atyre që kërkojnë të bëhen padroni i duhur i Italisë?/ Dritare.net

















