Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

Vajza 6 vjeçe fle ende me mua. Si ta heq nga krevati?

Vajza 6 vjeçe fle ende me mua. Si ta heq nga krevati?

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila.

Unë që ju shkruaj sot jam një nënë që kam nevojë të di sesi mund ta heq nga shtrati im vajzën time 6 vjeçare. Ajo ende fle me ne në krevat. Kam provuar disa herë, por nuk po mundem ta realizoj. Të lutem ç’mund të më thuash dhe dua të kuptoj edhe vetë përse vajza sillet kështu, a e mundon diçka? Faleminderit.

Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet:

Vendosja e një fëmije për të fjetur në dhomën e gjumit të tij nuk është aspak e lehtë. Kjo situatë, veçanërisht për një prind të ri, mund të kthehet në një sfidë të vërtetë. Nëse fëmija juaj është mësuar të flejë në një krevat dopio, do të jetë edhe më e vështirë.

Fjetja me prindërit është ëndrra e çdo fëmije. Në këtë mënyrë, fëmija ka mundësinë të qëndrojë pranë prindërve të tij, duke eliminuar kështu ankthin e ndarjes në momentin më delikat, atë të rënies në gjumë. Fëmija në krevat dopio ndjehet i mbrojtur dhe i sigurt. Gjumi me fëmijët tuaj ju pengon të mbani intimitetin me partnerin tuaj. Përgatitni fëmijën dhe veten tuaj për ndryshim me një qëndrim pozitiv, duke qenë të vetëdijshëm se ky ndryshim do të jetë i dobishëm për të gjithë familjen. Bëhuni të vetëdijshëm për rëndësinë e ritualeve në gjumë dhe si ta mësoni fëmijën tuaj të qetësohet kur ndjehet i shqetësuar ose i mërzitur. Në këtë mënyrë, do të jetë më e lehtë për të menaxhuar edhe ankthin e ndarjes që shpesh bëjnë që prindërit të heqin dorë dhe t'i bëjnë fëmijët të flenë me ta. Gjithmonë përpiquni të mbani një dialog të mirë me të voglin.

Në këndvështrimin tim do të ishte mirë që të provonit bërjen e një banje të ngrohtë fëmijës, në mënyrë që të ndihet i relaksuar. E dashur lexuesja jonë, ju mund t'i lexoni fëmijës tuaj një libër të mirë dhe nëse i përdorni një ritëm leximi të ngjashëm me një përgjumje, do të jeni në gjendje që në një kohë të shkurtër ta bëni atë të flejë në gjumë. Gjithashtu do t’ju rekomandoja t'i jepni atij një lodër, ose ta ndihmoni atë të mendojë për diçka qesharake dhe të këndshme.

Lexuesja jonë, jo gjithmonë ka zgjidhje që janë të mira për të gjithë; çdo familje është histori në vetvete dhe, brenda familjes, çdo fëmijë është një histori në vetvete. Ju uroj prindërim sa më të lehtë. Shpresoj që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në situatën tuaj. Gjithë të mirat!/ dritare.net