Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

Qaj shpejt. Si t’i kontrolloj ndjesitë e mia!

Qaj shpejt.  Si t’i kontrolloj ndjesitë e mia!

Përshëndetje Psikologe Enertila

Unë jam një vajzë 20-vjeçare dhe jam duke kaluar një situatë të vështirë, ndihem shumë e frustruar, zemërohem shpejt dhe qaj kollaj. Si mund të më ndihmoni. Suksese e ju falënderoj!

Psikologia Enertila Bekteshi, përgjigjet!

Përshëndetje lexues të Dritare.net.

E qara është forma jonë e parë e komunikimit. Kur jemi fëmijë dhe ende nuk flasim, qajmë nga uria, nga lodhja dhe gjithashtu kur kërkojmë pak dashuri dhe vëmendje. Ndërsa rritemi, lotët mund të shprehin trishtim, frikë, gëzim dhe madje edhe zemërim, ndër ndjenjat e tjera.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, është e rëndësishme të dini se çfarë ndodh në trupin tuaj në kohë zemërimi. Kur një person zemërohet, sistemi i tij nervor qendror e vë menjëherë në gatishmëri, duke shkaktuar një sërë reagimesh fizike. Ky mekanizëm është instinktiv. Shumë herë, niveli i stresit i krijuar nga zemërimi është aq i madh sa nuk jemi në gjendje të kthehemi në gjendjen tonë racionale dhe të shprehim me fjalë atë që ndjejmë. Për këtë arsye ne qajmë. E qara në situata të zemërimit shërben, ndër faktorët e tjerë, për të ulur tensionin. Të qarët është e shëndetshme dhe jo vetëm një përgjigje ndaj dhimbjes dhe zhgënjimit. Por e qara ulë presionin e gjakut , duke e bërë personin më të qetë dhe të relaksuar, eliminon toksinat përmes lotëve,ndihmon në nxjerrjen e manganit , një substancë që mund të shkaktojë lodhje, acarim.

E qara është e nevojshme në shumë raste. Nga ana tjetër, nuk është gjithmonë e nevojshme të qash për të kontrolluar zemërimin. Do të sugjeroja për ju disa mënyra për të mësuar se si të menaxhoni zemërimin. Mendoni para se të flisni. Kur dikush është nervoz, është shumë e lehtë të thuash diçka për të cilën më vonë do të pendohet. Merrni frymë thellë dhe pushoni për disa minuta për të mbledhur mendimet tuaja përpara se të flisni. Të qenit fizikisht aktiv është një nga mënyrat më të mira për të reduktuar stresin. Shkoni për një shëtitje ose luani një sport që ju pëlqen kur zemërimi juaj rritet. Muzika ka aftësinë të ndryshojë humorin tonë sepse ndikon në emocionet tona. Nëse dëgjoni muzikë qetësuese kur jeni të zemëruar, me shumë mundësi do të ndiheni më të qetë më pas. Marrja e kohës për të shkruar atë që po ju ndodh mund t'ju ndihmojë të reflektoni mbi ndjenjat tuaja dhe të gjeni mënyrën më të mirë për t’i menaxhuar ato. Sa herë që është e mundur, përdorni humorin për të lehtësuar tensionin. Kjo ju ndihmon të ulni vigjilencën dhe të gjeni zgjidhje për atë që ju shqetëson. Unë uroj shumë që tu kem ndihmuar sadopak në gjendjen tuaj,dite të mbarë e gjithë të mirat për ju./dritare.net