Na ndiqni edhe në

Kronikë

Mamurras/ Plagoset i kërkuari për tentativë vrasjeje, arrestohet djali i ish-deputetit të PD-së

Mamurras/ Plagoset i kërkuari për tentativë vrasjeje, arrestohet

Një operacion i Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit ka përfunduar me plagosjen dhe arrestimin e dy personave në Mamurras, gjatë një ndërhyrjeje për kapjen e një të kërkuari për vepra të rënda penale.

Gjatë aksionit në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, shtetasi Leonard Dema, 23 vjeç, i shpallur në kërkim dhe i dënuar më parë në Itali për tentativë vrasjeje, ka tentuar të përplasej me automjet ndaj efektivëve të policisë, duke rrezikuar jetën e tyre.

Sipas Policisë së Shtetit, në momentin e ndërhyrjes, personi që shoqëronte Demën, Amadeo Fufi, 28 vjeç, ka nxjerrë një armë zjarri dhe e ka drejtuar ndaj forcave operacionale. Në këto kushte, efektivët kanë reaguar në vetëmbrojtje, duke neutralizuar situatën.

Si pasojë e ndërhyrjes, Leonard Dema është plagosur dhe është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia njofton se gjatë operacionit është sekuestruar një pistoletë, ndërsa Amadeo Fufi është arrestuar në flagrancë. Hetimet për ngjarjen po vijojnë në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë.

Njoftimi:

Tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale duke iu rrezikuar jetën, neutralizohen dhe arrestohen 2 shtetas.

Njëri prej tyre ishte i shpallur në kërkim, i dënuar në Itali për tentativë vrasjeje, ndërsa shtetasi që e shoqëronte ishte i armatosur.

Gjatë neutralizimit është plagosur 23-vjeçari në kërkim, i cili është transportuar në Spitalin e Traumës.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë që posedonte shtetasi që shoqëronte të kërkuarin.

Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.

Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë.

Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është në kujdesin e mjekëve.

Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim.

Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë.

Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me AMP-në, dhe në drejtimin e Prokurorisë.", thuhet në njoftim.