
Kanceri është i parandalueshëm, ja çfarë këshillojnë studiuesit!
Dritare.net
Shumë forma të kancerit janë të parandalueshme, megjithëse faktorët e rrezikut si mosha ose gjenetika nuk mund të ndryshohen. Faktorë të tjerë rreziku për kancerin, duke përfshirë zgjedhjet e një stili jetese të shëndetshëm, janë nën kontrollin tuaj.
Elisa V. Bandera dhe Carolyn J. Heckman, bashkë-drejtuese të Programit Kërkimor të Parandalimit dhe Kontrollit të Kancerit, në Institutin e Kancerit Rutgers të Nju Xhersit, së bashku me Institutin RWJBarnabas Health, ndajnë këshillat e tyre kryesore për parandalimin e kancerit gjatë ‘Muajit Kombëtar të Parandalimit të Kancerit’.
Hani ushqime të shëndetshme, lëvizni dhe minimizoni konsumimin e alkoolit.
Ngrënia e një diete të ekuilibruar, aktiviteti i rregullt fizik dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme trupore kanë shumë përfitime shëndetësore. Të tre këto faktorët mund të zvogëlojnë rrezikun e kancerit.
Udhëzuesi i ‘Shoqatës Amerikane të Kancerit’ për dietën dhe aktivitetin fizik për parandalimin e kancerit sugjeron adoptimin e një modeli jetese që përfshin ngrënien e një diete me drithëra, perime, fruta dhe fasule. Të minimizojmë mishin e kuq dhe të përpunuar, të eleminojmë ushqimet e shpejta dhe ushqime të tjera të përpunuara me përmbajtje të lartë yndyre dhe sheqernash, duke i dhënë përparësi aktivitetit fizik për të mbajtur një peshë të shëndetshme trupore. Përveç kësaj, konsumimi i alkoolit nuk rekomandohet, pasi është kancerogjen dhe është zbuluar se rrit rrezikun për shumë lloje kanceri.
Bëni një plan për të lënë duhanin.
Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit (NCI), duhani mund të rrisë rrezikun për shumë lloje kanceri duke përfshirë kancerin e mushkërive, gojës, fytit, qafës së mitrës, gjakut, fshikëzës, ezofagut, stomakut, pankreasit dhe veshkave. Në fakt, sipas NCI, pirja e duhanit shkakton rreth 25 për qind të të gjitha diagnozave të kancerit dhe 30 për qind të të gjitha vdekjeve nga kanceri në Shtetet e Bashkuara.
Mbroni lëkurën tuaj nga rrezet ultraviolet (UV).
Ekspozimi ndaj rrezeve UV mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit të lëkurës. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) sugjerojnë minimizimin e ekspozimit në diellin e mesditës, mbulimin me mëngë të gjata, pantallona dhe kapele me strehë të gjerë, së bashku me aplikimin e kremit kundër diellit (SPF prej të paktën 30), 30 minuta para ekspozimit në diell dhe aplikimin dy herë në ditë. Për më tepër, shmangni burimet artificiale të ekspozimit ndaj rrezeve UV.
Bëjeni parandalimin dhe kontrollin e kancerit, pjesë të stilit tuaj të jetesës.
Testet e shqyrtimit parandalues mund të çojnë në zbulimin e hershëm të kancerit, disa prej të cilave, nëse zbulohen herët, mund të trajtohen me sukses. Këto përfshijnë kancere të zakonshme si kanceri kolorektal, mushkërive dhe gjirit. Burimet e disponueshme përmes Institutit të Kancerit Rutgers të Nju Xhersit, thonë se gjithmonë duhet të jeni në kontakt me mjekët përkatës./A.ZH-dritare.net

















