Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Bletërritësi: Si ta njohësh një mjaltë të pastër!

Bletërritësi: Si ta njohësh një mjaltë të

Në një cep të harruar të Shqipërisë, në Zhapokikë, një fshat i vogël por i pasur me natyrë dhe përvojë, një bletar Alkest Shehu rrëfen për DritareTV sekretet e mjaltit të mirë. Nuk mjafton që të jetë i ëmbël. Janë disa detaje që e bëjnë diferencën mes mjaltit të cilësisë së lartë dhe një mjalti të zakonshëm.

“Mjalti kristalizohet në dimër”, shpjegon ai, “por jo gjithmonë. Ka lloje mjalti që nuk ngrijnë fare dhe kjo është krejtësisht normale”. Mjalti i lofatës dhe ai i lisit janë shembuj konkretë që nuk kristalizohen, për shkak të përmbajtjes së ulët të glukozës. “Është pikërisht kjo përqindje e ulët që e bën këtë mjalt jo vetëm të veçantë, por edhe të përshtatshëm për diabetikët”, thotë ai, duke përmendur si shembull mjaltin e marrëres, i cili nuk ndikon aspak në nivelin e sheqerit në gjak.

Por cilat janë lulet që japin mjaltin më të mirë në këtë zonë? “Tërfili është mbizotërues në mjaltin tonë. Nëse shikon fshatin, çdo rrugë, çdo hapësirë është e mbuluar me tërfila. Është afërsisht 70% i përbërjes së mjaltit tonë.” Ai rrëfen se aroma e çdo luleje reflektohet në shijen e mjaltit. “Kur ka shumë sherebel, mjalti ka një aromë më të rëndë, më të fortë, ndërsa tërfili i jep një shije më të butë dhe të njohur për ne që merremi me këtë punë prej vitesh.”

Bletaria, në pamje të parë, duket një punë e lehtë, por realiteti është krejt ndryshe. “Shumë njerëz thonë: vër kollarin dhe s’ke më punë. Por s’është kështu. Nga janari në dhjetor ka gjithmonë diçka për të bërë. Janari dhe shkurti janë më të qetë, por pastaj nis periudha intensive, veçanërisht prilli, maji dhe qershori.”

Në këtë fshat ku bletaria nuk është vetëm traditë, por edhe mënyrë jetese, çdo shishe mjalti mban brenda jo vetëm nektarin e luleve, por edhe përkushtimin, njohurinë dhe dashurinë për natyrën. Dhe ndoshta, për këtë arsye, ky mjalt nuk ka pse të ngrijë kurrë./K.C/dritare.net