
Mjalti i Zhapokikës, pasuria e artë e Beratit
Dritare.net
Në skajin më të largët të Beratit, aty ku rruga përfundon dhe fillon natyra e egër, ndodhet një nga thesaret më të pazbuluara të Shqipërisë, Zhapokika. Nuk është një minierë ari në kuptimin klasik, por një pasuri e shëndetit: mjalti. DritareTV ka udhëtuar drejt këtij fshati piktoresk për të zbuluar një histori të rrallë përkushtimi, tradite dhe dashurie për natyrën.
Sapo hyjmë në fermën e familjes Shehu, një skenë e pazakontë na pret: dy bletarë janë në kërkim të një koshereje që ka “shpërthyer”. Me një mjet të improvizuar, përpiqen të rikthejnë bletët në kosherën e tyre. “Kjo është një pajisje që kemi shpikur vetë,” thotë njëri prej tyre, “për t’i kapur kur ngjiten në pemë të larta”.
Alkest Shehu, një ndër trashëgimtarët e kësaj tradite, na pret në fermë. Me modesti, por edhe krenari, ai na tregon se bletaria në familjen e tij ka nisur 140 vite më parë me stërgjyshin Abedinin, e më pas vijuar nga gjyshi Halimi në kohën e komunizmit, me mbi 40 koshere. Sot, familja Shehu zotëron mbi 100 koshere dhe një përvojë që e bëjnë mjaltin e tyre unik.
Mjalti më i çmuar është ai i maresë, i mbledhur në Zhitom dhe i njohur për vetitë kuruese, veçanërisht kundër kancerit të zorrës. Një tjetër thesar është mjalti i lofatës, që prodhohet vetëm çdo pesë apo gjashtë vjet.
Familja prodhon gjithashtu qumësht blete për forcimin e organizmit dhe uthull të mollës së egër me përdorim shëndetësor. Pavarësisht sfidave si rruga e vështirë dhe sëmundjet e bletëve, Alkest Shehu ka zgjedhur të qëndrojë në fshat dhe të zhvillojë këtë pasuri natyrore, duke sjellë një model shprese për bujqësinë shqiptare. “E dua shumë vendin tim,” thotë ai. “Jetoj në Berat, por prej vitesh vij çdo ditë në Zhapokikë për të zhvilluar bletarinë. Kam ëndrra të tjera: të bëjmë një punishte për uthullën dhe të rrisim prodhimin”.
Fshati Zhapokikë është një shembull i gjallë se si pasuria më e madhe e Shqipërisë mund të qëndrojë e fshehur në vendet më të largëta. Me përkushtimin e njerëzve si Alkest Shehu, pasuritë natyrore kthehen në pasuri kombëtare, duke sjellë jo vetëm produkte të shëndetshme, por edhe shpresë për të ardhmen e bujqësisë shqiptare./dritare.net

















