Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Kryeministër, mos i fut lëndët fetare në shkolla!

Kryeministër, mos i fut lëndët fetare në shkolla!
Nga Maringlen Bakiaj

Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit ku një mësuese u arrestua për propagandë pro ISIS, rikthej në vëmendjen tonë propozimin e kryeministrit për futjen e lëndës fetare në shkollat publike.

Për çfarë i shërben një lëndë e tillë shoqërisë shqiptare, kur ajo po kalon një krizë të thellë ekonomiko-sociale, por mbi të gjitha morale?

Të tilla eksperimente do të jenë si dinamit, për ato pak vlera që i kanë mbetur vendit tonë. Prandaj tërhiquni nga kjo çmenduri, para se të jetë vonë.

Ndoshta ju dhe këshilltarët tuaj nuk i konceptoni pasojat që do të ketë ky vendim, sepse ju interesojnë 4 vitet pasuese, por po t’i analizosh pak më në thellësi dhe në interes të vendit, konkluzionet do të jenë shumë herë më të rënda se ato të vitit 1997.

Po të shikosh pak më tutje brohoritjeve që bëjnë “lëpirësit” socialistë ndaj pushtetit diktatorial që ju zotëroni, do të kuptoni që në atë vend njerëzit po humbasin shpresën.

Dikur misionarët fetarë kur u pushtonin tokën njerëzve, u linin fshatarëve ngushëllimin tek Zoti. Duke u lënë si dhuratë Biblën. Mos vallë duhet të ndodhë kështu edhe me Shqipërinë?

Ne si popull nuk kemi toka, as pasuri monetare. Ato i kanë marrë ministrat, deputetët, funksionarët, të gjithë shtetarët që kanë marrë pjesë në koalicionet e turpit, në këto 26-vjet tranzicion.

Prandaj, ndërhyrje të tilla arbitrare në arsim përbëjnë mbi të gjitha abuzime të rënda ndaj Kushtetutes. Ai vend nuk mund të përbëjë tablon, ku të bëhen të tilla eksperimente abuzive, sepse rezultati do të jetë i njëjtë si në pikturat sureale (blihen me miliona megjithëse askush nuk ua di kuptimin).

Zbrisni për pak nga froni juaj dhe shikojeni ne sy frontin që ju rrethon. Xhami i akuariumit që të mbron, shumë shpejt u zbeh nga myku i pushtetit.

Çfarë garancish jep shteti shqiptar që ndërgjegjja e fëmijëve shqiptarë nuk do të cenohet nga dogmat fetare, që ju në formë lënde do të fusni në shkollat publike?

Makineria e propagandës shtetërore dhe media private mbështesin të tilla iniciativa. Ku është opozita, apo është e zënë për pengimin e reformës në Drejtësi?

Ju shpesh herë i referoheni statistikave për të vënë në dukje arritjet e qeverisjes tuaj. Përse nuk i hidhni dhe një sy statistikave për analfabetizmin që karakterizon shoqërinë shqiptare? Lëndë të tilla do të ndihmojnë në uljen e analfabetizmit, apo do e shtojnë atë? Apo nuk është i autorizuar INSTAT për të tilla statistika?

Ku do të trajtohet ky staf mësuesish, kush do t’i kontrollojë ata?

Si mund tu transmetojnë fëmijëve këta mësues diçka që nuk do të jenë në gjendje ta konceptojnë as vet? Aty ku toleranca fetare i ka rrënjët tek familja, ju përse doni të hapni degë të reja nëpër shkolla?

Kush e garanton një prind shqiptar, që fëmija e tij do të jetë në duar të sigurta ndaj propagandës fetare radikale?

Aty ku organizatat fetare qofshin të krishtera qofshin islame, disponojnë miliardat për të ngritur kultet e adhurimit të tyre, do të kursejnë milionat për të ngritur kulte predikimi, për më tepër me vulën e shtetit.

Në vendin ku ndërgjegjja shitet për të mbushur barkun, përse mos të shitet mësuesi që do të bëjë mësimin e funksioneve fetare?

Përse nuk shtoni një lëndë ku si përmbajtje të ketë detyrimet e funksionarit ndaj qytetarit dhe ato të qytetarit ndaj shtetit? Përse nuk ndihmoni të ardhmen e këtij vendi. Përse nuk e mësoni brezin e ri me parime të shëndosha? Përse nuk i jepni fund tranzicionit që mban peng vendin? Përse z. kryeministër?/dritare.net