Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kryegjyqtarja me vilë luksoze fsheh pasurinë, deklaroi të ardhura vetëm rroga e kredi

Kryegjyqtarja me vilë luksoze fsheh pasurinë, deklaroi të ardhura

Vila luksoze e gjyqtares Entela Shedula, kryetare e Gjykatës së Kavajës, bie lehtë në sy në lagjen me shtëpi të thjeshta në zonën pranë spitalit të këtij qyteti. Godina trekatëshe, e përdorur për banim dhe një biznes të familjes, rrethohet nga një gjelbërim i dendur pemësh dekorative. E parë me sy të lirë, kuptohet pa vështirësi që për ndërtimin e saj dhe sistemimin e ambientit janë investuar shuma të konsiderueshme parash. Ajo që nuk duket është fakti që investimi kolosal është përballuar përmes të ardhurave që Shedula ka nga paga e saj si gjyqtare dhe e bashkëshortit të saj.

Referuar deklaratave të pasurisë të depozituara nga ana e gjyqtares në Inspektoratin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, të ardhurat vjetore të gjyqtares Shedula nga rroga e saj ka variuar nga 788 424 lekë të rinj në total, në vitin 2005, në 1 450 999 në vitin 2017.

Sipas deklaratave të gjyqtares, investimet e sipërpërmendura janë mbuluar përmes 3 kredive bankare, 2 milionë, 2.5 milionë dhe 700 mijë lekë të rinj, të marra në një hark kohor prej 6 vitesh. Këstet e majme të këtyre kredive rezultojnë të jenë shlyer nga rroga e bashkëshortëve dhe të ardhurat e fituara nga një biznes i familjes, kopsht privat për fëmijë.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se tri kreditë në shumën 5.2 milionë lekë të rinj janë shlyer plotësisht brenda 9 viteve. Kati i tretë i shtëpisë së gjyqtares është ndërtuar fillimisht pa leje dhe është legalizuar më vonë dhe regjistruar në hipotekë.

Në të njëjtin formular të dorëzuar në ILDKPKI, atë të vitit 2007, Shedula deklaron se totali i pagës së saj vjetore si gjyqtare ka qenë 857 889 lekë. Ndërsa të ardhurat vjetore të bashkëshortit nga aktiviteti privat kanë qenë 350 mijë lekë. Po aty theksohet se shuma e kësteve të kredisë 2-milionëshe të shlyera është 371 470 lekë.

Përmes një llogarie të thjeshtë matematikore, rezulton se totali i të ardhurave të dy bashkëshort- ëve ka qenë 1 207 899 lekë. Duke i zbritur kësaj shume këstet e paguara të kredisë, rezulton se të ardhurat e mbetura janë 836 429. E ndarë në 12 muaj të ardhurat e familjes gjatë vitit 2006 kanë qenë gati 69.7 mijë lekë në muaj.

Në këtë linjë, rezulton se familja Shedula prej katër anëtarësh ka përballuar jetesën me vetëm 17.4 mijë lekë për njeri, në kufijtë e minimumit jetik në vend. Përmes së njëjtës llogari, referuar deklaratës së vitit 2009, duke zbritur nga totali i të ardhurave pagesën e kryer për kredinë, rezulton se të ardhurat vjetore për familjen kanë qenë në masën 1 503 674 lekë, të ardhurat mujore 125 306 lekë dhe të ardhurat për frymë në muaj 31 326 lekë.