Kreu i SPAK pyetet për Ballukun/Braho: Deputetët nuk duhet të kenë imunitet!
Dritare.net

Kreu i SPAK Klodian Braho bëri një bilanc të punës para Komisionit të Ligjeve, ku u pyet edhe për vendimin e Kuvendit i cili rrëzoi kërkesën për arrestimin e Belinda Ballukut, e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë. Për Brahon një vendimmarrje e tillë nuk i pengon prokurorët që të vijojë hetimin. Por pyetjes së opozitës nëse SPAK e ka një strategji për çështjen e imunitetit, kreu i SPAK iu përgjigj se gjithsesi në shumë raste mungesa e masës dëmton hetimin dhe se për SPAK, imuniteti i deputetit nuk duhet të ekzistonte fare.
“Çështja konkrete, qëndrimi i SPAK është publik. Sa i përket situatës kushtuese, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit por nuk ndalon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase e vështirëson një hetim edhe e dëmton por nuk miratojmë ligje dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri ligjor. Të ishim ne pala që miratonte ndryshime ligjore, personalisht unë mendoj se s’duhet të kishte imunitet fare”, tha Braho.
Por, a do të ketë një kërkesë të re në Kuvend për arrestimin e Ballukut, në kushtet kur ndaj ish-zv.kryeministres ka nisur hetimi edhe për korrupsion e pastrim parash, përveç akuzave për shkelje në 11 tenderë? Braho garanton se vendimmarrja do të jetë e bazuar në ligj dhe në prova.
“Faktet tregojnë që SPAK ka bërë punën. Këto elementë nuk krijojnë bindje dhe as dyshim mbi integritetin e SPAK në një çështje të profilit të lartë. Nuk mund të paranjoftoj vendimmarrje të çështjeve në hetim. Ajo që garantoj është që do të jetë vendimmarrje e garantuar në ligj, në prova që siguron hetimi duke marrë parasysh dhe arsyet se pse kuvendi ka vendosur rrëzimin e kërkesës”, theksoi ai.
Braho u pyet nga deputetët edhe për raportin mes SPAK dhe Policisë së Shtetit. Konkretisht, deputeti i PS Erjo Mile e pyeti Brahon lidhur me operacionet e BKH në terren për të arrestuar persona në kërkim pa asistencën e Policisë së Shtetit, si në rastin e Adi Çobës në Durrës. Braho tha se Policia e Shtetit është një partner i pazëvendësueshëm, por shprehu rezerva se ky institucion duhet të bëjë më shumë. Braho tha se SPAK dhe BKH nuk duhet të varen nga institucione të tjera, por duhet të kenë pavarësi procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore.
Braho theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po zhvillohet në një terren gjithnjë e më kompleks. Gjatë vitit 2025, SPAK ka hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 577 janë mbartur nga viti 2024, ndërsa 294 janë regjistruar si çështje të reja. Krahasuar me një vit më parë, volumi i hetimeve është rritur me 4.9%, ndërsa janë përfunduar 216 procedime, duke ruajtur të njëjtin ritëm si në vitin paraardhës.
Një nga treguesit që, sipas drejtuesit të SPAK dëshmon ndryshimin e qasjes së institucionit është shtimi i hetimeve të nisura kryesisht. Nga 294 procedime të reja, 209 janë regjistruar me iniciativën e vetë SPAK.
“SPAK ka hetuar 871 procedime, 577 janë bartur nga viti 2024, ndërsa 294 janë regjistruar si çështje të reja. Me 2024. Kjo përfaqëson rritje të volumit të hetimeve në masën 4.9%. Janë përfunduar 216 çështje, duke ruajtur nivelin e vetit paraardhës. SPAK ka përballuar një ngarkesë në rritje pa humbur qëndrueshmërinë në humbjen e hetimeve. Tregues i rënd është rritja e qasjes proaktive. Nga 294 procedime të reja 209 janë regjistruar kryesisht nga SPAK. Ose rreth 37% e totalit të çështjeve të nisura kryesisht, në 2024 ky tregues ishte 19.8%. Kjo tregon që SPAK po mbështet në analizë, hetim financiar dhe jo vetëm referime të ardhura nga institucione të tjera apo kallëzime”, tha Braho.
Braho u ndal edhe te masat e sigurimit personal, duke theksuar se arresti me burg po përdoret gjithnjë e më shumë si masë e fundit. Sipas tij, numri i arrestimeve me burg ka rënë me 53.4%, nga 236 raste në vitin 2024 në 110 raste gjatë vitit 2025. Nga të gjitha masat e sigurimit, 3.45% lidhen me veprat e korrupsionit, ndërsa 21.14% me krimin e organizuar.
“Duke e konsideruar arrestin me burg si mjeti i fundit të sigurimit personal. Masa arrest me burg ka pësuar rënë me 53.4%, e përkthyer në 236 në 2024 me 110 raste në 2025. Prej totalit të masave, rreth 3.45% lidhen me korrupsionin, ndërsa 21.14% të totalit me krimin e organizuar”, tha Braho.
Drejtuesi i SPAK vlerësoi se korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues.
“Korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues, përshin funksionarë vendorë, të administratës, prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie. Çështje të reja për korrupsionin u rritën me 18%, ndërsa çështjet e përfunduara u rritën me 12%”, vijoi ai.
Sa i përket krimit të organizuar, Braho tha se grupet kriminale po veprojnë me struktura gjithnjë e më të sofistikuara, duke përdorur ndarje të qarta rolesh, komunikime të enkriptuara, transaksione informale dhe investime në pasuri të paluajtshme. Sipas tij, Shqipëria vazhdon të përdoret si vend tranziti, koordinimi dhe pastrimi të produkteve kriminale.
Po ashtu, Braho ngriti edhe shqetësimin për statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar. Një shqetësim i ngritur më herët edhe nga Altin Dumani, i cili ka pas sugjeruar që prokurorëve të posaçëm t’iu jepet mundësia e rikandidimit pas përfundimit të mandatit.
Kreu aktual i SPAK, Braho tha se mungesa e një zgjidhjeje të qartë ligjore mund të cenojë vijimësinë e hetimeve dhe të dëmtojë ruajtjen e ekspertizës së krijuar brenda institucionit.
“Mospërcaktimi i qartë ligjor mundet të cënojë vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Kushtetuta ka parashikuar një mandat 9-vjeçar për prokurorët e posaçëm, pa të drejtë riemërimi. Ky model ka pasur qëllimin e vet në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Megjithatë, pas këtyre viteve të funksionimit, është e nevojshme të vlerësohet nëse ky model garanton mjaftueshëm vijimësinë profesionale të Prokurorisë së Posaçme.
Përfundimi i mandatit të prokurorëve të posaçëm krijon jo thjeshtë çështje të karrierës së tyre individuale, por krijon edhe çështje të ruajtjes së eksperiencës së specializuar që është krijuar brenda SPAK-ut. Kjo eksperiencë lidhet me hetime komplekse, bashkëpunim ndërkombëtar, hetim financiar dhe administrim të çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike”, theksoi Braho.