Kë duan qytetarët në krye të Bashkisë së Tiranës? Ja emrat që propozojnë!
Dritare.net
Kush duhet ta drejtojë Bashkinë e Tiranës dhe çfarë duhet të ndryshojë në kryeqytet? Në një Vox Pop të realizuar nga DritareTV, qytetarët kanë shprehur mendimet e tyre për drejtuesin e ardhshëm të bashkisë, duke propozuar emra të njohur, por edhe kandidatë të rinj, jashtë politikës tradicionale. Nga Halim Kosova, Jorida Tabaku e deri tek Arbër Hajdari, qytetarët kanë preferenca të ndryshme. Disa kërkojnë që bashkia të drejtohet nga një figurë e Partisë Demokratike, ndërsa të tjerë shpresojnë që nga protestat e fundit të dalë një emër i ri, i palidhur me partitë politike.
Një qytetare shprehet se Tirana ka nevojë të marrë frymë, duke kundërshtuar ndërtimin e kullave.
“Të mos bëheshin kulla moj. Mos bëheshin kulla. Të marrë Shqipëria frymë, të marrë ajër”, thotë ajo, ndërsa për drejtimin e bashkisë propozon Halim Kosovën.
Një tjetër qytetar, pensionist prej vitesh, shpreh zhgënjimin ndaj klasës politike dhe kërkon që drejtimin e Tiranës ta marrë një përfaqësues i brezit të ri.
“Nga këta të klasës politike s'ia vlen asnjë. Ishalla del ndonjë nga këta të rinisë që të marrë Bashkinë e Tiranës”, shprehet ai.
Një tjetër qytetar tregon vështirësitë ekonomike me të cilat përballen pensionistët, duke rrëfyer se për vite me radhë është detyruar të punojë edhe pas daljes në pension.
“Unë në Tiranë kam 60 vjet. Kam hequr zitë e ullirit. Kam punuar edhe shtatë vjet mbas daljes së pensionit dhe nuk ia dilja dot për të përballuar jetën. Vetëm se më çonte djali lekë nga Italia”, thotë ai.
I pyetur për protestat e fundit, një tjetër qytetar shprehet se ato i kanë dhënë shpresë për ndryshim, ndërsa kritikon ashpër edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilin e akuzon se po përpiqet të marrë kontrollin e protestës.
“Do të vjedhë protestën? Do t'ia vjedhë si gjithmonë. Ishalla nuk e vjedh”, shprehet qytetari.
Ndryshe mendojnë disa qytetarë të tjerë, të cilët mbështesin kandidatë nga radhët e opozitës. Njëri prej tyre përmend Jorida Tabakun si një emër të mundshëm, ndërsa një tjetër vlerëson se drejtuesi i ardhshëm duhet të jetë mbi të gjitha një njeri i ndershëm dhe i pakorruptuar.
“Duhet të jetë njëherë njeri i pastër, i pakorruptuar. Ja, parametri themelor, parametri kryesor që duhet të ketë një drejtues shteti”, shprehet ai.
Në mesin e emrave të propozuar është edhe Arbër Hajdari. Një qytetar, i cili thotë se voton në Peshkopi, e konsideron atë një figurë të përshtatshme për drejtimin e Tiranës.
“Unë pëlqej atë Arbër Hajdarin. S'është në politikë, nuk është hiç fare. Njeri i mirë, të gjitha i ka, i kompletuar”, shprehet ai./dritare.net