"Kam me të mbyt"! Deklarata e ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt para Prokurorisë
Dritare.net

Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës, ka pranuar para Prokurorisë se e kishte kërcënuar atë.
Në deklaratën e dhënë para Prokurorisë Themelore në Pejë më 23 korrik 2026, Sylaj ka pranuar se ndaj Arlindës kishte përdorur fjalë kërcënuese.
“Është e vërtetë se unë Arlindës i kam thënë fjalët ‘kom me të mbyt, kom me të ngre zhag’, mirëpo të njëjtat ia kam thënë sepse djali im është ndjerë i rrezikuar”, citohet të ketë deklaruar ai, sipas raportimeve të mediave kosovare.
Gjatë dëshmisë së tij, Sylaj ka thënë se ai dhe Arlinda ishin të ndarë prej rreth një viti, por nuk ishin divorcuar zyrtarisht. Ai ka pretenduar se jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Arlinda në Kosovë.
Në deklaratën e tij, ai ka ngritur pretendime lidhur me raportin e Arlindës me djalin e tyre, duke thënë se djali nuk dëshironte të jetonte me të dhe se ndihej i frikësuar. Sylaj gjithashtu ka mohuar se kishte tentuar ta pengonte djalin të takohej me të ëmën.
Nga ana tjetër, Arlinda Zekaj, sipas raportimeve për rastin, kishte deklaruar më herët se kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike dhe se ishte ndier e rrezikuar nga kërcënimet e ish-bashkëshortit.
Rasti i kërcënimeve ishte trajtuar nga organet e drejtësisë para vrasjes së Arlindës. Ndërkohë, për vrasjen e saj, kunati Albert Sylaj është raportuar si i dyshuar./L.F-dritare.net