Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ju tregoj si e mori grantin e Ministrisë, firma “Kokaina” në Maminas!

Ju tregoj si e mori grantin e Ministrisë, firma “Kokaina”
Nga Luna Ruvina

Lajmi i ditës që shkoi ishte jo vetëm kokaina, por edhe granti te Ministria Bujqësisë. Po e tregoj hollësisht çfarë granti qe ai, i destinuar për dhoma frigoriferike të ndërtuara me para të IPARD, një skemë grantesh financuar bashkërisht nga BE-ja, qeveria gjermane dhe qeveria shqiptare, ku kjo e fundit kontribuon me një shumë relativisht modeste, sa për të dëshmuar më shumë vullnetin për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë sonë.

Një nga punët e para që u është dashur të bëjnë ekspertët e BE-së ne këtë projekt ka qenë pikërisht trajnimi i stafit shqiptar për mënyrën e vlerësimit të kërkesave për grante dhe për monitorimin e përdorimit të granteve të marra.

Biznesi i Maminasit që po përflitet si i lidhur drejtpërdrejtë me kokainën e kapur së fundmi është regjistruar, sipas raportimeve në media, më 2012,,me objekt tregtimin e produkteve të ndryshme.

Nëse është vërtet kështu, pronari i këtij biznesi i bie të ketë pasur mik të fortë të paktën në AZHBR, (Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural), për të mos thënë në GiZ,( Agjencinë Gjermane të Zhvillmit), zbatuesin e IPARD-like.

E them këtë, se siç mund ta marrë me mend edhe ai që s'e di ç'është IPARD-i, nuk merakoset BE-ja për të fuqizuar bizneset që merren me tregti.

Qëllimi i tij është që t'u vijë në ndihmë fermerëve dhe blegtorëve shqiptarë t'i zhvillojnë ato pak ferma e stalla që të përmbushin, pikësëpari, standardet kombëtare që, dikur, të mund të kërkojnë grante, për të synuar edhe ato evropiane.

Edhe nëse mediat, të gabojnë në raportim lidhur me objektin e aktivitetit të firmës,

e kjo e fundit t'i ketë përmbushur qoftë edhe formalisht kriteret për të përfituar një grant, ajo duhet gjithsesi të monitorohej për të parë, nëse po i përdorte si duhet paratë e taksapaguesve evropianë dhe gjermanë, pa për këto tonat s'na bën përshtypje.

IPARD-i kërkon, ndër të tjera, kontrolle të rrepta në terren të aktivitetit të aplikantëve, gjë që ekspertët e BE-së dhe GiZ-it e kanë bërë në mënyrë aq strikte sa edhe kafe gjatë kontrollit për orë të tëra mezi e pranonin nga aplikanti, për të mos u kompromentuar apo perceptuar si të tillë.

Ata të AZHBR-së nga ana tjetër, le që u katandisën kaposhi një thelë, pas disa lëvizjesh politike, duke hequr njerëz të trajnuar me fonde të BE-së për një kohë të gjatë e duke u zëvendësuar nga të rinj që ishin tamam të rinj për gjithë procedurat, konceptet e pritshmëritë e BE-së.

E në fund, kush jep llogari për dhënien e grantit e për mosidentifikimin e përdorimit për qëllime kriminale të financimit nga BE-ja dhe qeveria gjermane? Ministria e Bujqësisë mundet që në mos të gjejë përgjegjësit për këtë rast, të shohë të paktën ç'mund të bëjë për të siguruar BE-në se kjo s'do të ndodhë më. Një nga gjërat që asaj deri tani mund të mos i ketë shkuar ndër mend, për shembull, është bashkëpunimi me Policinë, që frigoriferët e financuar për domate, patëllxhanë apo bimë medicinale të mos përdoren as për banane, se për kokainë jo që jo./Dritare.net