
Ja pse bankat transportojnë para jashtë vendit!
Dritare.net

Njëlloj si me tregtinë, këto para, banka duhet t’i investojë me interesa më të larta dhe diferenca i mundëson bankës të mbulojë shpenzimet e veta dhe të nxjerrë një fitim të caktuar.
Paratë e depozituesve, në euro ose valutë, bankat, një pjesë e mbajnë si rezervë të detyrueshme, një pjesë e investojnë kryesisht për të dhënë kredi. Duke qenë se bankat kanë qenë të kujdesshme me kredidhënien, huadhënia për ekonominë ka qenë e vakët vitet e fundit.
Tepricën në lekë, bankat e investojnë duke blerë letra me vlerë të qeverisë shqiptare. Ndërsa tepricën në valutë bankat e vendosin në institucione financiare jashtë dhe për këtë arsye u duhet ta transferojnë, ndonëse së fundi bankat kanë preferuar ta mbajnë valutën edhe pranë Bankës së Shqipërisë .
Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.
Transporti bëhet me Cargo Ajrore, që është shërbim që e ofrojnë kompanitë ajrore e quhet “High Value Cargo Service”. Ky është një shërbim i shtrenjtë, si rrjedhojë transaksioni i këmbimit bëhet me vlera të mëdha që të jetë i leverdishëm dhe për këtë arsye, disa banka bëhen bashkë për të rritur vlerën.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës, në zërin “Marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare”, që janë vendosjet jashtë, bankat kishin 237 miliardë lekë, ose gati 1.8 miliardë euro në fund të 2018-s.
Ndryshe nga vitet e kaluar, bankat nuk kanë preferuar t’i vendosin paratë jashtë, pas kufizimeve të vendosura nga Banka e Shqipërisë. Zëri “Marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare” shënoi për herë të parë një rënie vjetore me 5%, pas rritjes së vazhdueshme që kishte shuar dekadën e fundit.
Bankat tregtare kanë rritur mbajtjen e likuiditeteve te Banka e Shqipërisë sidomos në valutë, edhe pse interesi i ofruar është negativ. Ekspertët e bankave shpjeguan se shkak për këtë rritje është bërë efekti i masave makroprudenciale që rrjedhin nga një rregullore e Bankës Qendrore që penalizonte bankat për mbajtjen e fondeve të tepërta jashtë vendit, pasi konsiderohen si 100% me risk.
Shqipëria është një vend me nivel të lartë euroizimi, ku 53% e depozitave në fund të 2018-s ishin në valutë./Monitor.al

















