Ja 9 gjërat që më bënë përshtypje gjatë vizitës 2-ditore në Tiranë!

Nga Fjorda Llukmani

Ah Tirana, gjithmonë e zhurmshme, kaotike dhe plot jetë. Po prapë ku ka si Tirana ime? Nuk ka thënë kot Artjola Toska “N’fund t’botës me shku’, shpirtin e kom ktu.” Për herë të fundit isha para një muaji, e prapë e gjej ndryshe sa herë vij.

Me ndryshime, punime, sjellje të njerëzve që i kisha harruar, etj. Gjithsesi në këtë artikull do të përmend disa nga gjërat që më bënë më shumë përshtypje gjatë vizitës sime dy ditore në kryeqytetin e zemrës.

Tirana ka kafen më të mirë në botë.

Një nga gjërat që më bezdis më shumë në Vjenë është që nuk ekziston fjala “kafe ekspres gjysmë filxhani”. S’dinë fare të bëjnë kafe nga ajo me shkumë e kam fjalën. Disa më thonë që nuk e lajnë ekspresin aq sa ne, prandaj si pasojë del si lëng gështenjash. Kur vij në Tiranë sado përgjumësh të jem zgjohem direkt kur pi kafen e parë. Duke marrë spunto nga shija e mirë e kafes më vjen shumë inat edhe që:

Në ditë normale në orare pune i ke lokalet e mbushura plot.

Mbase kjo gjë s’më habiste kur isha vetë pjesë e jetesës në Tiranë, ama tani e kuptoj sesa kohë kam humbur vetëm duke lëvizur sa në një kafe në tjetrën. Ditë e hënë, ora 11 çdo lokal është plooot me njerëz të të gjitha moshave. Më falni po a nuk duhet të ishit në punë? Dhe më habit që ka supertrafik në oraret që normalisht qytetarët duhet të jenë në shkollë apo punë. Ku shkoni more? Ulem për të pritur kushërirën time në një kafene te “Komuna e Parisit”.

E pyes kamerierin: “Më fal si quhet ky vendi?” Ai i habitur më thotë: “Nuk e di sesi quhet kjo lagja eee??” “More dua të di emrin e lokalit se janë bërë shumë e s’jam përditësuar me të rejat, se lagjen e njoh”-i kthehem me shaka. Pasi iku ai nxora laptopin për të mbaruar ndonjë punë të shkollës. Më solli kafen e më tha: “Hë do të shohësh ndonjë film?” Duke qeshur i them se kam pak punë, por kuptova që është pothuajse pak e konceptueshme të punosh në kompjuter kur pi kafen, sepse është orar i shenjtë që s’duhet të merresh me asgjë tjetër.

Kush do të punojë, gjen punë!

Erdha në Tiranë për të mbushur dy dhëmbë dhe dentisti im më sugjeroi të bëja një grafi diku pranë. Vajza që punonte më buzëqeshi ndërkohë që po i jepte grafinë pacientit para meje. “Unë të njoh ty se të lexoj shkrimet te dritare.net”,- komenton ajo me pozitivitet. Vetëm të më shihje mua sa m’u bë qejfi. Kur djali ia kthen: “Më fal ëëë se unë jetoj jashtë e s’para ia kam idenë çfarë ndodh në Shqipëri. Por ti je ndonjë vipse kështu?” Mua s’më pëlqejnë njerëzit që emigrojnë edhe e harrojnë vendin e tyre, ose e shajnë sapo ikin. “Unë jam qytetare e thjeshtë, që prej pak kohësh jetoj jashtë si ty dhe shkruaj mendime personale të miat në një portal, por dhe pse e ikur nuk më shpëton asnjë lajm se çfarë ndodh këtu. Sa mirë dhëmbët vjen t’i rregullosh në Shqipëri ti se është lirë, kurse të dish ç’bëhet s’paske interes?”,- iu përvesha atij. Secili ka qejfin dhe prioritetet e veta në jetë në fund të fundit. Pasi iku vajza më tregonte se sapo kishte mbaruar universitetin për imazheri dhe kishte gjetur punë. Shembull të cilin e kam vënë re shpesh, por siç e kemi zakon kur flasim nga kafja normalisht që s’do të gjesh as punë e as lek.

Gatimet në restorante janë ç’të të them!

Vendi im i preferuar për të ngrënë çfarë të më dojë qejfi është në Tiranë. Ka ca vende që gatuhet aq mirë sa s’di të përshkruaj ndjesinë e mirë që marr. Mbase ka të bëjë dhe te produktet. Këtu në Vjenë s’kanë shije gjërat, vetëm nëse do ta bësh pazarin te sektori i ushqimeve bio që kushtojnë goxha.

Më pëlqejnë restorantet që kanë ndërthurur ushqimet tradicionale me ca elemente të rinj. Për shembull te Kalaja e Tiranës hëngra një fërgesë tironse dhe kadaif të modernizuar që më ngeli në mendje.

Nuk mësohem dot me lekët e reja.

Diku më kthyen kusur 200 lekëshin e ri. I kisha parë si printime nëpër lajme, por hera e parë që e prekja. Më dukej si lek false, aq simpatik ishte. Më kujtoi poundin që nuk griset apo laget. Megjithatë Naim Frashëri sikur m’u duk më simpatik edhe rinor. Mos i keni bërë pak botoks në krahasim me 200 lekëshin e vjetër?

LEXO DHE :  Blendi Fevziu: Rama-Meta do t'i nxirrnin dhëmbët njëri-tjetrit, por edhe do të putheshin!

E ruajta monedhën për kujtim. Ndërkohë shikoja dhe firmën e guvernatorit të bankës. Në bisedë tavoline i them dikujt: “E di që do të më pëlqente ta kisha firmën në printimet e lekëve, thjeshtë për kujtim e t’ia tregoj kalamajve kur të plakem.” “Ah, ti je karajfile!”,-ma kthejnë.

Pamja e përditshme nga mali i Dajtit.

Çdo shtëpi Tirane që nuk ka pamje nga Dajti, për mua është kot fare. Jam rritur duke u zgjuar me kuriozitetin nëse ka rënë borë në maja, si duken pemët e arta gjatë vjeshtës, lindjen e diellit dhe mbulimin e reve si kurorë mbi mal. Përveç kësaj e kisha dhe si pikë referimi dhe orientimi. Sa herë gjendesha diku nëpër shtigje mendoja me vete “Ku është Dajti”? E kur zbres nga avioni qafën e Priskës, të Qershisë, majën e Tujanit dhe majën e Dajtit i njoh prej shumë larg.

Në dimër shoqëria ime më telefononin mua për të marrë vesh nëse ka rënë borë apo jo edhe a ia vlente të niseshim me teleferik. Babi im ka punuar si mjek në ato zona e më merrte shpesh me vete të shtunave që nuk shkoja në shkollë. Sa kujtime të bukura që kam! Mbase që atëherë fillova ta doja e gëzoja natyrën. Kësaj here munda të shijoj vetëm një perëndim të shpejtë në Surrel, por të paktën iu afrova Dajtit tim më shumë.

 

S’ka si ushqimet dhe shërbimet e mamit.

Gjithmonë rëndësinë e gjërave e kuptojmë kur s’i kemi. Si të gjithë edhe mami im kur erdha filloi me gatimet e pastrimet. “A ta laj mami këtë xhupin, po kanotierën, po këpucët?”,- më pyeste gjithë kohën. “Po rri mi mam rehat ça do të lash se dy ditë jam, plus kam lavatriçe dhe në shtëpinë time pse lodhesh ti”- i thosha unë. Gjithsesi bëri ç’bëri e futi xhupin për ta larë pa më pyetur. “Hë se thahet shpejt se është diell.”,-më thoshte. “Po çfarë të bëj ndonjë gjë për të ngrënë? A do të jap ca reçel për me vete? Po shih se kam edhe mjaltë të mirë nga ai që solle nga Llogoraja.”,-vazhdonin pyetjet e komentet. E njëjta histori dhe me gjyshen.

Nëna ime përdor akoma telefonin e shtëpisë.

Nuk e keni idenë sa kam qeshur kur në një moment shoh nënën time duke kërkuar numra në bllokun e adresave të telefonit. Sapo kalon ora 8 e darkës telefonatat qenkan falas dhe ajo po merrte grupin e shoqeve për të lënë një takim. E kisha harruar ekzistencën e telefonit të shtëpisë, sepse herën e fundit që e kishim e përdornim vetëm për shërbimin e internetit. Pasi telefonoi dy shoqe e s’po i gjente numrin të tretës nëna më sheh vërdallë e më kërkon ndihmë: “Hajde goce këtu iher bojë nji punë më gjej pak numrin e Myrvetes.” “O no po pse nuk i sheh numrat te telefoni celular mi?”,-e pyes unë. “Eh aty te celulari vetëm numrat e juj maj nona që mos të bohem lomsh”,-ma kthen ndërkohë që unë vdisja së qeshuri.

“Çoje pak te Klani”.

Besoj s’jam e vetmja që kam hequr dorë nga shikimi i televizorit. Kur vij në Shqipëri më kënaq marrosja e familjes time pas programeve në televizor që për mua janë bosh. Biles mendojnë seriozisht që skeçet e krijuara aty janë prej vërteti. Sa rob i mirë ose naiv duhet të jesh që të besosh se trillimet në televizor janë reale? Nëse nëna ime ulet në një tavolinë përballë televizorit dhe s’i jep dum pultit dije që do tëthotë: “Çoje pak tek Klani”.

Këto janë disa nga gjërat e situatat që doja t’i ndaja me ju. Edhe në fakt të rinjtë që takoj në emigrim do të donin shumë të ktheheshin po të kenë një të ardhme të sigurt në Tiranë. Jetës asnjëherë si dihet, por punët e mira gjoja bëhen avash-avash. E ka thënë dikush “Tirona e kontradiktës” por e thënë prej tij s’merrte vlerë, derisa e përjetuam dhe besuam./dritare.net

 

 

 

 

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.