Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

I urren gabimet gramatikore? Ja çfarë je!

I urren gabimet gramatikore? Ja çfarë je!
Ka nga ata që, duke lexuar postimet në Facebook ose gazeta, nuk humbasin gabimin më të vogël gramatikor dhe janë gjithmonë të gatshëm për të kritikuar autorin. Ajo që mund të duket si një akt mbrojtjeje i gjuhës, për një grup shkencëtarësh nuk është gjë tjetër veçse një sjellje në gjendje të zbulojë shumë rreth personalitetit të një individi. Sipas një studimi të ri, publikuar në PLOS One, më të ndjeshmit ndaj gabimeve gramatikore, priren të jenë të mbyllur, të tërhequr dhe pak të disponueshëm ndaj të tjerëve, përveç faktit që gjithmonë janë të gatshëm të gjykojnë. Ndërsa personat e çiltër janë më të gatshëm për t’i pranuar këto gabime.

Në eksperimentin e kryer nga hulumtuesit e Universitetit të Miçiganit kanë marrë pjesë 83 vullnetarë, të cilët lexuan emailet e personave të interesuar për shtëpi të përbashkët më qira. Disa emaile përfshinin fjalë të paqarta dhe me gabime si "mkae" në vend të "make" apo "abuot" në vend të "about". Pjesëmarrësit u pyetën të thonë diçka rreth autorit të emailit dhe të "votonin" shkallën e tyre të inteligjencës, mirëdashjes,kapacitetin e tyre të sintezës etj. Secilit iu kërkua, më pas, të raportonin ndonjë gabim gramatikor dhe të tregonin sesa mund t’i kishte shqetësuar ata.

Vullnetarët plotësuan testin e personalitetit dhe iu përgjigj disa pyetje në lidhje me moshën e tyre, prejardhjen e kontekstit të tyre shoqëror dhe marrëdhënien e tyre me gjuhën. Eksperimenti tregoi se më kritikët dhe të ashprit kundër autorëve të hutuar dhe të papërsosur, ishin pikërisht ata më të mbyllurit dhe të përpiktët. Studiuesit shpjegojnë: "Kjo vjen për shkak se njerëzit më pak të disponueshëm, tolerojnë me vështirësi devijimet nga norma".

"Bëhet fjalë për studimin e parë që hedh hipotizime se personaliteti i atij që dëgjon ose lexon mund të ketë efekt mbi interpretimin e gjuhës", shpjegon Julie Boland i Universitetit të Miçiganit, autore e studimit. "Me këtë eksperiment – vazhdon ajo – kemi arritur të shqyrtojmë gjykimet sociale të lexuesve kundrejt atyre që i shkruajnë." Gjykime këto, jo gjithmonë të favorshme, por që mund të ndihmojnë të kuptojmë më mirë se si njerëzit komunikojnë në internet dhe kush qëndron pas një komenti fyes, shkruar si përgjigje ndaj një gabimi  të "pafalshëm.”/dritare.net/