
Robert Hackman: Në Teqenë e Frashërit nisi një komb
Dritare.net
Në dokumentarin e tij për Shqipërinë dhe bektashizmin, gazetari britanik Robert Hackman ndalet me respekt të thellë në Teqenë e Frashërit, që sipas tij, nuk është vetëm një monument shpirtëror, por djepi i identitetit shqiptar.
Në zërin e tij të qetë dhe të përqendruar, Hackman rrëfen:
“Teqeja e Frashërit është vendi më i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë moderne. Këtu, në këtë vend të vogël malor, nisi një ide që do të transformonte një popull të shtypur në një komb me zë.”
Ai nënvizon se vëllezërit Frashëri, të cilët luajtën një rol kyç në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, u formuan pranë kësaj teqeje, e cila nuk ishte vetëm një qendër shpirtërore, por edhe një shkollë, një vatër dijesh dhe qëndrese:
“Teqeja ishte vendi ku ata mësuan gjuhën shqipe, historinë, fenë, por mbi të gjitha – vetëdijen kombëtare.”
Sipas Hackman, bektashizmi i dha shqiptarëve një mënyrë për të qenë vetvetja në heshtje, me dinjitet, duke ruajtur gjuhën dhe besën në një kohë kur këto ishin të ndaluara. Dhe kjo trashëgimi u mishërua tek vëllezërit Frashëri – Abdyli, Naimi dhe Samiu – që përfaqësuan unitetin e mendimit, kulturës dhe besimit.
“Kur ecën në këtë vend të shenjtë, ndjen një përulësi. Sepse këtu nuk lindi thjesht një fe, por një komb.”, thotë Hackman në dokumentar.
Ky rrëfim i Hackman është i pari që sjell për audiencën ndërkombëtare lidhjen e thellë mes bektashizmit dhe themelimit të kombit shqiptar, duke ndriçuar një pjesë të historisë sonë që shpesh mbetet në hije./ dritare.net

















