
Profesor Ceka: Pse është unik Teatri i Bylisit!
Dritare.net
Një nga asetet më të çmuara në qytetin e lashtë të Bylisit është edhe teatri. Ky teatër, nga më unikët e Antikitet, vërteton edhe një herë se Bylisi është qytet ilir dhe jo grek. Kështu thotë arkeologu i njehur Neritan Ceka që ka pasur një përplasje me kritikun italian, Vittorio Sgarbi, që thoshte Bylisi ishte qytet grek. Ndërsa tregon teatrin e Bylisit në reportazhin e DritareTV, profesor Ceka rreshton edhe njëherë faktet se përse ky qytetërim nuk është grek, por ilir.
“Ky është edhe teatri, për të cilin kam pasur një debat me Sgarbin ku i vërtetova që nuk është qytetërim grek, por ilir. Teatri i Bylisit është unik në botën antike. Në princip ngjan si teatrot e tjerë, por ka të veçantat e tij. Për shembull ka pjesën e teatrit ku uleshin spektatorët, mbi 7500 persona. Është 16 metra i lartë, ka 40 radhë.
Është ndër teatrot më të mëdhenj të Antikitetit. Është 7-8 mijë metra i madh. Është më i vogël se Dodona që është 15 mijë, pak më i vogël se ai i Finiqit që është 10 mijë. Por për Ilirinë është më i madhi. Këtu kemi një arkitekt të jashtëzakonshëm që ka marrë për model Dodonën, për sa i përket ndërtimit të teatrit. Skena që afrohet te spektatori, sepse është një teatër kryesisht i komedisë, jo i dramës dhe tragjedisë, ku aktorët visheshin me maska. Kjo bënte që një pjesë të vinte më afër, ajo është proskena. Është edhe godina e madhe e skenës kur ruheshin figurat, skenografia.
Kjo nuk ekziston në teatrin grek i cili ka vetëm një skenë formale. Teatri i Bylisit është një zhvillim i mëtejshëm i idesë që ka lindur në Dodonë. Në Bylis jemi rreth vitit 270, ndërsa Dodona është rreth vitit 300, fillimi i sundimit të Pirros së Epirit. Kemi dy periudha ndërtimi, përudhën e parë byline, ilire dhe periudhën romake që kufizon skenën. E sjell skenën shumë afër dhe eliminon një pjesë të saj, sepse zgjeron hapësirën për ndeshje me gladiatorë. Në periudhën romake luajti rolin e Amfiteatrit.”, tregon profesor Ceka në DritareTV./K.C/dritare.net

















