Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Granit Xhaka dënohet për certifikatën false të COVID-it, ja vendimi

Granit Xhaka dënohet për certifikatën false të COVID-it, ja


Kapiteni i Zvicrës dhe i Sunderlandit, Granit Xhaka, është dënuar me një gjobë prej 150 mijë frangash zvicerane, e pezulluar për dy vite, pasi pranoi se kishte siguruar një certifikatë false vaksinimi kundër COVID-19. Vendimi është dhënë nga Prokuroria Publike e Lucernës.

Dënimi përbëhet nga 50 masa ditore me nga 3 mijë franga, ndërsa gjoba nuk do të ekzekutohet nëse Xhaka nuk kryen një tjetër vepër penale gjatë periudhës dyvjeçare të provës.

Vetë futbollisti 34-vjeçar ka konfirmuar vendimin përmes një postimi në Instagram, duke deklaruar se e pranon atë dhe merr përgjegjësinë për veprimet e tij. Xhaka ka bërë të ditur gjithashtu se ka paguar tashmë shpenzimet procedurale.

Çështja lidhet me vitin 2022, kur Xhaka luante për Arsenalin. Futbollisti pranoi muajin e kaluar se kishte siguruar certifikatën e vaksinimit, ndonëse nuk ishte vaksinuar. Ai shpjegoi se në atë kohë kishte pasur mosbesim të madh ndaj vaksinës së COVID-19 dhe e cilësoi vendimin si një gabim.

Pas nisjes së hetimeve, Xhaka dha dëshmi para prokurorëve në Lucernë dhe u tërhoq nga grumbullimi i fundit i kombëtares zvicerane, duke munguar në katër ndeshje të Ligës së Kombeve.

Federata Zvicerane e Futbollit ka konfirmuar se është në dijeni të vendimit dhe se përfundimi i çështjes ligjore i hap rrugë diskutimeve të mëtejshme për të ardhmen e Xhakës me kombëtaren. Xhaka është futbollisti me më shumë paraqitje në historinë e kombëtares së Zvicrës, me 152 ndeshje. Ai aktualisht luan për Sunderlandin në Premier League./dritare.net